MD: Këto janë procedurat për shqiptarët e Luginës që dëshirojnë të blejnë prona në Kosovë, ja kur hyn ligji në fuqi

12:03 | 27 Janar 2024
md:-keto-jane-procedurat-per-shqiptaret-e-lugines-qe-deshirojne-te-blejne-prona-ne-kosove,-ja-kur-hyn-ligji-ne-fuqi

Më 24 janar të këtij viti Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Kosovë.

Më plotësim-ndryshimin e ligjit, shqiptarëve nga Lugina do t’u mundësohet të blejnë prona në Kosovë, shkruan Front Online

Lidhur me këtë vendim për Front Online kanë folur nga Ministria e Drejtësisë.

Nga ky dikaster kanë bërë të ditur se qytetarët e komunitetit shqiptar nga Lugina (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), por edhe personat juridik nga ky komunitet në Luginë, do të mund të jenë bartës apo titullar të të drejtave pronësore në Kosovë, sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin bazik në fuqi, por duke përjashtuar parimin e reciprocitetit me Serbinë.

“Duke pas parasysh faktin dhe raportet bilaterale të Republikës sonë me Serbinë, qytetarëve të komunitetit shqiptar në Luginë, me dispozitat aktuale në fuqi të Ligjit bazik, iu është bërë e pamundur fitimi i të drejtave pronësore për shkak dhe në mungesë të reciprocitetit me palën serbe, andaj Ministria e Drejtësisë, ka ndërmarrë iniciativën ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit bazik, ku me këtë Projektligj, qytetarët e komunitetit shqiptar nga Lugina do të përjashtohen nga kufizimet e reciprocitetit dhe do të mund të jenë titullarë të të drejtave pronësore në Kosovë sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin bazik, njëjtë si qytetarët e Kosovës, pa pasur nevojë që të verifikojnë apo përcaktojnë reciprocitetin me shtetin – shtetësinë e të cilin e kanë (Serbinë), sipas procedurave përkatëse që i kërkon Ligji dhe Rregullorja përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Front Online.

Ky projektligj sipas Ministrisë së Drejtësisë do të procedohet për në Kuvendin e Kosovës në afatin sa më optimal të mundshëm.

“Në rrjedh të lartcekurave dhe duke e pa rëndësinë e këtij procesi, Projektligji do të procedohet në afatin sa më optimal të mundshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me qëllim të miratimit përfundimtar të tij”, bën të ditur MD-ja për Front Online.

Po, ashtu kjo ministri do të bëj edhe plotësim ndryshimin e rregullores për të gjithë shtetasit e huaj të cilët pretendojnë të jenë bartës apo titullarë të të drejtave pronësore në Kosovë.

“Ministria e Drejtësisë, po ashtu ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësim ndryshimin e Rregullores përkatëse që derivon nga Ligji bazik në fuqi, e cila gjendet në fazën e konsultimit publik, në mënyrë që të lehtësojë procedurat për marrjen e pëlqimit në Ministrinë e Drejtësisë për të gjithë shtetasit e huaj të cilët pretendojnë të jenë bartës apo titullarë të të drejtave pronësore në Kosovë”, thuhet më tutje në përgjigje.

Aktualisht Ministria e Drejtësisë është duke shqyrtuar 100 kërkesa të shtetasve të huaj, të kërkojnë po kërkojnë që të bëhen bartës të të drejtave pronësore në Kosovë.

“Ministria e Drejtësisë aktualisht është duke shqyrtuar dhe trajtuar rreth 100 kërkesa nga shtetasit e huaj, përfshirë këtu edhe kërkesat e komunitetit shqiptar nga Lugina”, thuhet në përgjigjen e MD-së./Front Online

Komento: