Me lot e dhimbje i jepet lamtumira shtatzënës së vrarë nga ish-burri i saj

13:42 | 02 Dhjetor 2022

Ka arritur në shtëpinë e familjes së saj në fshatin Llugaxhi arkivoli i Hamide Magashit, e cila u vra para dy ditësh nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.

Familjarët e së ndjerës mes lotësh janë përshëndetur me të për herë të fundit.

Varrimi i së ndjerës do të bëhet në orën 13:00, në varrezat e fshatit.

Në vendngjarje ndodhen edhe patrullat e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë i dyshuari kryesor për vrasjen e saj, Sokol Halili, as gati 40 orë pas krimit monstruoz, ende s’ka rënë në prangat e Policisë. Operacioni për kapjen e tij ka nisur menjëherë pas momentit tragjik, kur edhe është identifikuar dorasi nga hetuesit policorë, mirëpo edhe përkundër kërkimeve ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tij.

Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në katër lokacione në qytetin e Vushtrrisë, për shkak se telefoni i Halilit ka rezultuar me qasje pikërisht në këtë qytet, shkruan Sinjali. Po ashtu sipas sinjalizimeve, kërkimet janë shtrirë edhe në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në kryeqytet.

Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën është larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij, e cila tashmë është gjetur nga Policia.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Eo

Komento: