Mega-aksionet e Policisë së Kosovës – Sot 22 të arrestuar, konfiskohen kafshë, armë e artikuj ushqimorë

18:47 | 01 Tetor 2020

Policia e Kosovës ka kryer sot një sërë aksionesh.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka vazhduar aksioni i agjencive të zbatimit të Ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Dogana, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, në disa rajone të ndryshme në Kosovë. Arsye për gjithë këtë aksion ishin dyshimet për kontrabandë. Prokuroria Themelore e Gjilanit ka njoftuar se aksioni i sotëm është vazhdimësi i aksionit të 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës

22 persona janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm të Policisë, IPK’së, Doganës dhe AUV-it në rajone të ndryshme të Kosovës.

Aksioni i sotëm i cili është vazhdimësi e atij të 18 shtatorit në fshatin Karaçevë të Kamenicës, është zhvilluar në Ferizaj, Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë, Podujevë e Viti.

Kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, ka njoftuar se të arrestuarit dyshohen për aktivitete kriminale.

“Është zhvilluar një operacion në tërë territorin e Kosovës, konkretisht Ferizajit, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Suharekës, Podujevës dhe Vitisë. Ky ka qenë vazhdimësi i operacionit në Karaçevë dhe rajoneve tjera. Janë ndaluar 22 persona për 48 orë, që dyshohen për aktivitete kriminale. Ndaj tyre brenda afatit ligjor do kërkohen masat për sigurimin e pandehurve nga Gjykata në Gjilan. Gjithsej numri i personale të ndaluar që nga fillimi aksionit janë 59 të dyshuar”, ka thënë Maloku.

Majori Zejnullah Serdulli nga Policia e Kosovës ka thënë se janë sekuestruar gjedhe, armë, e artikuj të ndryshëm ushqimorë.

“Janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve, artikujve të dëmshme ushqimore dhe mjete që janë përdorur për kryerje të veprimeve ilegale”, ka thënë ai.

ProkuroriaThemelore e Gjilanit përmes një komunikate për media ka njoftuar se janë kontrolluar 11 lokacione që lidhen me subjektet ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik.

“Gjatë ekzekutimit të urdhërkontrolleve, në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik, janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve dhe artikujve të dëmshëm ushqimor, mjete që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale, si dhe prova tjera që do të shërbejnë në procedurë të mëtejme penale”, bëhet e ditur në njoftim.

Ndërkohë Gazeta Express ka qëndruar sot në Karaçevë, nga ku ka përcjellë nga afër një pjesë të aksionit të Policisë dhe Doganës, në një fermë të një banori të fshatit Hodonoc.

Aty, organet e rendit kanë qëndruar me orë të tëra, ku kanë konfiskuar katër bagëti, të cilat më pas do t’i merrte Dogana.

Pronari i kësaj stalle nuk ka pranuar të prononcohet për media.

Por, gjatë të enjtes ky aksion i Policisë, Doganës, AUV-it e IPK’së u shtri edhe në disa qytete e fshatra tjera të vendit.

Express nga burime brenda policisë ka mësuar se përveç dyshimeve të përfshirjes në veprimtari kriminale, aksioni i sotëm është kryer edhe nën dyshimet se persona që ishin arratisur nga bastisja e 18 shtatorit në Karaçevë, janë duke u fshehur brenda territorit të Kosovës.

Aksioni i sotëm është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 Shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera të Kosovës, për shkak të dyshimit të përfshirjes në veprimtari kriminale.

Komento: