Mësohet se sa gjoba i ka shqiptuar policia që nga fillimi i pandemisë

00:06 | 08 Tetor 2020

Tashmë është mësuar se sa gjoba i ka shqiptuar policia që nga fillimi i pandemisë.

Policia e Kosovës ka shqiptuar 107851 gjoba që nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se janë dy faza të gjobave.

“I kemi dy faza të gjobave. Në fillim kanë qenë format për kundërvajtje të cilat s’kanë qenë gjoba që ne i kemi dërguar tek inspektorët sanitarë që janë kyçur në menaxhimin e pandemisë në mënyrë që ata t’i shndërrojnë në gjoba pasi s’e kemi pasur ligjin anti-covid dhe numri i tyre ka qenë 73226. Ndërsa prej se ka filluar që të hyjë në fuqi ligji anti-covid i kemi shënuar 34625 gjoba, pa e përfshirë ditën e sotme”, ka thënë Qalaj në ktv.

Tutje ai ka thënë se në pikun e COVID-19 reagimi i qytetarëve ka ndihmuar shumë që të ulet numri i të prekurve me këtë virus, derisa ka theksuar se qytetarët në këtë fazë kanë qenë të disiplinuar.

“Që nga fillimi i pandemisë ne jemi detyruar ta angazhojmë gati tërë stafin policor për të parandaluar virusin dhe natyrisht ky angazhim ka bërë që disa punë t’i lëmë anash që të përkujdesemi për shëndetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Komento: