Milan e nis sot sezonin në Serie A, Pioli jep lajmin e madh për kuqezinjtë

10:35 | 23 Gusht 2021

Kampionati i ri për Milanin nis të hënën, me ndeshjen kundër Sampdoria në transfertë. Pioli përgatitet për debutimin e tij dhe në konferencën për shtyp tha: “Ky është Milani im më i fortë, kam gjetur lojtarë që janë shumë të vetëdijshëm, janë rritur. Lojtarët e rinj, veçanërisht Tonali dhe Leao, janë më të fortë.

Na mungon diçka, sepse Zlatan është ende jashtë, Kessié ka një dëmtim dhe Bennacer duhet të shërohet nga problemet e kësaj vere. Sidoqoftë, jemi një ekip i fortë. Nëse kombinojmë përulësinë dhe ambicjen mund të bëjmë mirë. Shtatë motrat pretendente janë shumë afër, do të ketë edhe surpriza, por ne duhet të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje, si dhe të jemi protagonistë në Ligën e Kampionëve”.

Merkatoja dhe Sampdoria

“Menaxherët janë aktivë dhe tregu i transferimeve nuk ka përfunduar, do të shohim se kush do të vijë. Ne jemi një ekip i fortë dhe i rritur, me vetëdijen për të dhënë maksimumin në fushë. Fjalët do të duhet të kthehen në vepra. Unë jam pozitiv dhe i vetëdijshëm për stërvitjen e një ekipi të fortë. Nuk po kërkojmë një mesfushor të ngjashëm me Calhanoglu, po përpiqemi të përmirësojmë ekipin dhe kjo mund të bëhet në çdo repart.

Sidoqoftë, ne tashmë kemi lojtarë cilësorë që mund të na japin kënaqësi. Sampdoria? Mbrohet shumë mirë, ka një identitet të mirë, spikat në sulm me Candreva, Gabbiadini, Quagliarella dhe Damsgaard. Për ne është një debutim i komplikuar, i vështirë. Duam ta fillojmë mbarë sezonin e ri”.

Kampionat me rivalitet

“Është shumë e vështirë të thuash se cili është favorit për titull. Shtatë skuadra mund ta fitojnë atë, mendoj se kanë më shumë ekuilibër se të tjerat. Sezonin e kaluar vetëm Interi arriti të shkëputet, sepse u largua nga Liga e Kampionëve në dhjetor.

Megjithatë, kushdo që fiton duhet përgëzuar. Interi, favorit si kampion në fuqi? Ka humbur lojtarë të forte, por ka marrë të tjerë të rëndësishëm. Juve është e fortë, ne jemi të fortë, Napoli, Lazio, Atalanta”.

Giroud dhe Ibra

“Giroud është një profesionist i madh, është një njeri me nivel dhe thellësi gjykimi. Ai është një lojtar që di t’i bëjë skuadrat të luajnë mirë. Është përshtatur mirë dhe do të na sjellë shumë përvojë. Ne kemi luajtur miqësore të nivelit të lartë dhe kemi arritur të ndërtojmë modelet tona të lojës. Olivier di të luajë mirë si në duet, ashtu edhe me një mesfushor-sulmues. Ai është një profesionist serioz.

Ibrahimovic? Është më mirë, edhe pse nuk ka punuar ende me ekipin. Java e ardhshme do të jetë e rëndësishme për të. Nëse shkon ashtu siç të gjithë shpresojmë, ai do të kthehet me grupin. Ibra do të jetë gjithmonë udhëheqësi ynë teknik dhe karizmatik, ai është një lojtar vendimtar për ekipin”.

Donnarumma

“A jam i zhgënjyer me Donnarumma? Në konferencën për shtyp më 8 korrik i falënderova të gjithë lojtarët që na ndihmuan të kishim një sezon të mrekullueshëm. Dhe tani jam i kënaqur me Mike (Maignan). Ai është një djalë shumë punëtor, por dhe kurioz, sepse dëshiron të mësojë gjëra të reja. Po flasim për një portier shumë të fortë, që do të japë kontributin e tij”.

Kapiteni është Romagnoli

“Kapiteni është Alessio Romagnoli, pa dyshim. Kur ai nuk luan, zëvendëskapiteni zgjidhet në bazë të viteve që kanë me fanellën kuqezi. Megjithatë, unë nuk mendoj se është aq e rëndësishme se kush e mban shiritin. Ajo që vlen është të kesh lojtarë të bashkuar dhe me entuziazëm. Kjo është arsyeja pse jam shumë pozitiv dhe kam shumë besim te Milani im”.

Komento: