Ministri i Shëndetësisë vjen me një njoftim të rëndësishëm

12:58 | 16 Tetor 2020

Një njoftim i rëndësishëm ka ardhur nga Ministri i Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas takimit me bordin këshilldhënës për Covid-19, ka njoftuar se do të punësohen 40 anesteziologë të rinj për ofrimin e shërbimeve të pacientëve.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Zemaj, përmes një postimi në faqen zyrtare të tij, në Ditën Botërore të Anesteziologëve.

“Në konkursin e fundit që e kemi shpallur për shkollim specialistik fillimisht ishte planifikuar të angazhoheshin 26 mjekë. Mirëpo, me rritjen e nevojës është vendosur të angazhohen 40 specializantë të anesteziologjisë, që do të jenë në shërbime të pacientëve”, shkruhet në njoftim.

Ai është shprehur edhe falënderues për punën e mjekëve, duke thurur lavde për ta.

“Jashtëzakonisht falënderues për punën shumë të ndjeshme të anesteziologëve, apo ndryshe siç quhen ringjallesit, të cilët janë përgjegjës për jetën dhe shëndetin e pacientit, që gjatë operacioneve administrojnë sasinë e saktë të anestezisë, monitorojnë shenjat jetësore të pacientit, e në këtë mënyrë mundësojnë operacione pa dhimbje”, thuhet tutje.

Përgjatë muajit korrik, në kohën kur rastet me koronavirus kishin mbërrirë pikun, tre anesteziologë lanë punën nën pretekstin se ishin të pakënaqur me kushtet që po ofroheshin.

Komento: