
Mehaj: U jam mirënjohës për donacionet e dhuruara për Fondin e Sigurisë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë donacione në Fondin e Sigurisë për Anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Ai ka thënë se të gjithë e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë se janë mbështetja kryesore e ushtrisë.
“Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e ushtrisë, por edhe e sigurisë së përgjithshme, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë. Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit. Donacionet tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët”,ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.
Mehaj e ka rikujtuar edhe njëherë se si funksionon puna e donacioneve në Fondin e Sigurisë:
– Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës
Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit
Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë
Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë
Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.