Ministri Murati flet për vendimin për kriptovalutat: Ka qenë vendim i nevojshëm

12:43 | 06 Janar 2022

Murati për kriptovalutat: Ka qenë vendim i nevojshëm në mënyrë që të kursejmë xhepat e qytetarit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë sot se vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë ka qenë i nevojshëm.

Ai gjatë prezantimit të rezultateve vjetore në Doganën e Kosovës tha se është e nevojshme që të merret ku vendim, në mënyrë që të kursehet xhepi i qytetarëve.

“Do të ishte shumë e padrejtë që ne si shtet të subvencionojmë fitimin e dikujt në kurriz të qytetarëve tjerë. Prandaj ka qenë e nevojshme që të merret ky vendim që të kufizohet përkohësisht mihja apo prodhimi i kriptovalutave në mënyrë që të kursejmë xhepat e qytetarit. Për shkak se për përfitim të disave rritet kostoja apo bëhet barrë e gjithë taksapaguesve të tjerë. Kjo ka qenë arsyeja”, ka deklaruar ai.

Gjatë kësaj jave, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Komento: