Ministri Peci thotë se sistemi i drejtësisë po ia bllokon shtetit kthimin e pronës publike

11:34 | 21 Gusht 2024
ministri-peci-thote-se-sistemi-i-drejtesise-po-ia-bllokon-shtetit-kthimin-e-prones-publike

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka kritikuar gjykatat në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se sistemi i drejtësisë po ia bllokon shtetit kthimin e pronës publike.

Ndonëse ka masë të përkohshme të gjykatës për objektin në “Ulpianë”, ministri Peci pretendon se prona në fjalë i takon Ministrisë të cilën e drejton.

“Sistemi i drejtësisë ia bllokon shtetit kthimin e pronës publike. Nesër mbushen 365 ditë nga bllokimi i ekzekutimit të vendimit të Ministrit të Bujqësisë për rikthimin e pronës në ‘Ulpianë’. Gjykata u tregua ‘efikase’ dhe shumë azhure duke marrë vendim për masë të përkohshme brenda 24 orëve, ndërsa pas 365 ditësh akoma nuk ka epilog për vendimin e ligjshëm të ministrit”, shkroi Peci, duke shtruar pyetjen se kujt po i shërbejnë institucionet e drejtësisë.

“11 tetori i vitit 2022 ka qenë dita kur së pari, publikisht, kam alarmuar organet e drejtësisë për abuzimin e ndodhur në zemër të Prishtinës, para syve të institucioneve lokale e qendrore, përmes uzurpimeve dhe tjetërsimit të pronës shtetërore. Bëhet fjalë për objektin në ‘Ulpianë’, pronar (titullar) i së cilit është Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në këtë objekt ka pasur përveçse uzurpime edhe tejkalime të tipit të objekteve të banimit e lokaleve afariste, të cilat kanë paguar dhe vazhdojnë t’ua paguajnë mijëra euro qira palëve të treta e jo titullarit. Nuk ka ligj që nuk është shkelur në këtë rast!”, shkroi Peci në profilin e tij në Facebook.

Komento: