Ministri Zemaj: Numri i rasteve të infektuara me Covid-19 është alarmant.

14:00 | 24 Nëntor 2020

Zemaj: Numri i rasteve të infektuara me Covid-19 është alarmant.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Komunën e Gjilanit, raporton Gazeta Express.

Me këtë rast, Zemaj ka shprehur ngushëllime për gjithë ata persona që kanë vdekur si pasojë e virusit Covid-19 në këtë komunë.

Ai ka thënë para mediave se janë duke punuar në menaxhimin e pandemisë, dhe luftimin e këtij virusi.

“Dua të shpreh ngushëllimin tim për të gjitha jetët e humbura nga Komuna e Gjilanit në përballje me pandeminë Covid-19. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë gjithçka që është e mundur që t’i bëjnë ballë këtij virusi. Në tre javët e fundit kishim rritje të numrit të rasteve, fatmirësisht kemi stabilitet gjatë kësaj jave”, ka thënë ai.

Zemaj është shprehur se vizita e sotme në Komunën e Gjilanit ka të bëjë me avansimin e shërbimeve shëndetësore.

“Vizita e sotme ka të bëjë me mobilizimin, që ta ruajmë shëndetin publik dhe të bëjmë avansimin e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit parësorë. Interesimi ynë i vazhdueshëm është që të ngrisim kapacitetet tona. Ngritja e resurseve humane e përfshinë edhe Gjilanin”, ka theksuar ai.

Tutje, ai ka thënë se për të ndryshuar gjendjen me pandeminë, duhet të ndryshohen edhe sjelljet e qytetarëve.

Sipas tij, numri i rasteve të infektuara me Coronavirus në vend, është alarmante.

Komento: