Ministria e Mbrojtjes “racion” tenderësh njëburimorë “Beni Donës”, me të cilën kishte telashe

08:04 | 20 Tetor 2023
ministria-e-mbrojtjes-“racion”-tenderesh-njeburimore-“beni-dones”,-me-te-cilen-kishte-telashe

Neglizhenca e Ministrisë së Mbrojtjes po ia trashë xhepin biznesmenit Ragip Mustafa, që udhëheq me “Beni Donën”. Biznesi në fjalë është shpërblyer rishtazi me kontratë në vlerë 2.2 milionë euro. Beni Dona ishte operatori i vetëm që u ftua për negocim të drejpërdrejtë – pa publikim të njoftimit të kontratës – për të lidhur ujdi nga Ministria e Mbrojtjes, e cila drejtohet nga Ejup Maqedonci. Dikasteri qeveritar anashkaloi krejtsisht faktin se kompania hetohej nën dyshimet për falsifikim të certifikatave ISO me rastin e tenderit 8.4 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), më 2020.

Procedura e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, ani pse e lejuar në disa raste sipas Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë, nuk rekomandohet pasi që me anë të saj kufizohet konkurrenca dhe rriten mundësitë për çmime më të larta.

Ministria e Mbrotjes nuk i ka kthyer përgjigje Institutit për Hulumtime Front mbi arsyeshmërinë e ndjekjes së kësaj procedure. Megjithatë, sipas Dosjes së Tenderit, të cilën e ka parë Instituti për Hulumtime Front, ajo është thirr në nevojën urgjente për furnizim me ushqim.

I dyshimtë mbetet fakti se pse Ministria e Mbrojtjes nuk ka bërë planifikim me kohë të këtij aktiviteti prokurimi. Kjo është hera e dytë brenda vitit që ajo thirret në emergjencë kur është fjala për tenderët e kësaj natyre.

Ministria e ndoqi një praktikë të tillë edhe në gjysmën e parë të vitit 2023. Ajo duke u thirr në nevojën emergjente i dha direkt kontratë 2.1 milionë euro kompanisë “Beni Dona Plast” më 4 mars.

Ligji i Prokurimit Publik thotë se autoriteti kontraktues, në këtë rast Ministria e Mbrojtjes, mund të aplikojë procedurën e negociuar për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ndonjë arsyetim rreth emergjencës dhe rreth mosmundësisë për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet me ligj.

Ligji i Prokurimit Publik e bën të qartë se natyrat e emergjencave lejohen me kushtin që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose lëshimeve të autoritetit kontraktues.

Aq më tepër kur Ministrisë së Mbrojtjes nuk i ka penguar që kontratën t’ia japë një operatori që e kishte “dëmtuar” dhe pretendonte të marrë hapa ligjore ndaj tyre.

Ministria e Mbrojtjes në fund të vitit 2021 përmes një reagimi në Facebook, e konsideronte vetën si palë të dëmtuar dhe thoshte se kishte rekomanduar mosdhënien e tenderit 8.4 milionë euro ndaj kompanisë “Beni Dona”.

Gjithashtu, në njoftim thuhej se MM po shqyrtonte mundësitë ligjore për këtë kontratë.

Tenderi i “dyshimtë” për ushqimin e FSK-në/Hetimet ndaj Beni Donës, të pezulluara 

Kompania Beni Dona nuk dha ndonjë koment nëse janë pezulluar hetimet ndaj tyre lidhur me tenderin 8.4 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku po hetoheshin nën dyshimet për falsifikim të certifikatave ISO, më 2020.

Instituti për Hulumtime Front ka dërguar pyetje tek Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas saj, Prokurori i Shtetit, ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Policisë së Kosovës ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, pronë e afaristit Ragip Mustafa.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit pas analizimit dhe shqyrtimit të secilës provë veç e veç ka ardhur në përfundimin e qartë se në ketë çështje penale nuk ka elemente të veprës penale ndaj të pandehurit R.M., sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës, andaj më 23.03.2022, ka marrë aktvendim për hudhje të këtij kallëzimi penal”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Institutit për Hulumtime Front.

Derisa në OSHP po zhvilloheshin beteja në mes të kompanive për ta fituar kontratën 9-milionëshe të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, në lidhje me dyshimet për falsifikim të ISO certifikatave të ofruara nga “Beni Dona Plast”, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kishte filluar të grumbullonte informacione për të verifikuar validitetin e tyre.

Asokohe, përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Global Parajsa”, po ashtu kishin ndërmarrë veprime për të verifikuar validitetin e tyre.

ISO certifikatat e kontestuara, të deponuara nga “Beni Dona Plast”, figurojnë, siç shkruante REL, të lëshuar nga “Royal Cert International”. Bëhet fjalë për certifikatën ISO 22000, dhe për certifikatën ISO 9001.

“Beni Dona” nuk dha përgjigje as për pyetjet e dërguara rreth kontratës së re të fituar nga Ministria e Mbrojtjes.

Cka parashihet në tenderin e ri 2.2 milionë euro?

Kontrata e lidhur rishtazi me Ministrinë e Mbrojtjes e obligon kompaninë “Beni Dona” që t`i furnizojë me ushqim ushtarët e FSK-së nëpër kazermat e saj në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë, dhe Prizren.

Kontrata është publike kornizë që nënkupton që Ministria paguan vetëm për racionet e porositura. Për gjashtë muaj sa është edhe vlefshmëria e kontratës janë paraparë: 62 mijë racione për mengjes, 420 mijë për drekë dhe 60 mijë për darkë.

Thuhet se kriter i dhënies së tenderit ka qenë çmimi më i ulët.

Komento: