MSH heq dorë nga Kontrata Kolektive, punonjësit shëndetësorë humbin benefite në kohë krize ekonomike.
Ministria e Shëndetësisë e ka njoftuar sot Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës që nuk do ta vazhdojë më zbatimin e Kontratës Kolektive.
Kontrata Kolektive përmbante disa benefite për punonjësit në sektorin e Shëndetësisë.
Kjo kontratë rregullonte themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, sistemimin e të punësuarve, orarin e punës, pushimet, stazhin e punës, mungesat në punë, rrezikshmërinë në vendin e punës, informimin, ndalimin e diskriminimit, kushtet për sigurimin e aktivitetit sindikal dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Shkëputjen e kësaj kontrate, MSH e ka justifikuar juridikisht me skadimin e afatit të Kontratës Kolektive, e cila po të kishte vullnet, kishte bazë për vazhdimin e saj.
“Rrjedhimisht, nga sa u tha më lart, Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, përmes këtij njoftimi bën të ditur vullnetin për mos vazhdimin e implementimit të Kontratës Kolektive”, thuhet në fund të njoftimit të MSH-së për FSSHK-në.
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se së shpejti do ta njoftojë sindikatën për një kontratë të re ndërsektoriale.
Një reagim ndaj këtij vendimi, ka pasuar nga ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili ka thënë se janë goditur profesionistët shëndetësorë në kohë krize.
“Qeverisja me fall dëmton ata që janë në hall; profesionistët shëndetësorë dhe pacientët. Qeveria pa ministër të Shëndetësisë, i paska dhënë edhe një goditje të rëndë profesionistëve shëndetësorë; iu paska shkëputur Kontratën Kolektive, dhe atë krejt pabazë e në kohë krize”, ka shkruar ai.