Ministrja e Punëve të Jashtme kërkon përfshirjen aktive të Britanisë në epilogun e dialogut me Serbinë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Ministrja e Punëve të Jashtme kërkon përfshirjen aktive të Britanisë në epilogun e dialogut me Serbinë

19:49 | 24 Shtator 2020

Haradinaj Stublla kërkon përfshirjen aktive të Britanisë në epilogun e dialogut me Serbinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott.

Kryediplomatja Haradinaj Stublla me Ambasadorin Abbott diskutuan për zhvillimet e fundit politike dhe shkëmbyen pikëpamje rreth dialogut me Serbinë, Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, si dhe implementimin e saj, bën të ditur MPJD.

“Gjithmonë kënaqësi e veçantë takimi me Ambasadorin britanik, z.Nicholas Abbott. Theksova nevojën e përfshirjes aktive të Mbretërisë së Bashkuar në epilogun e dialogut me Serbinë, si palë hisedare në të arriturat e deritanishme të Kosovës”, citohet të ketë thënë Haradinaj Stublla.

Gjatë këtij takimi, Haradinaj Stublla falënderoi Abbottin për gjithë përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, veçanërisht përmes Bursës Chevening, program nga i cili këtë vit do të përfitojnë plot 11 studentë nga Kosova për të studiuar me bursë të plotë në Mbretërinë e Bashkuar, njofton një komunikatë e MPJD’së.

Komento: