Ministrja Rizvanolli me dy zëvendësit vizitojnë digën e Ujmanit, diskutojnë “mundësitë për investime”

21:03 | 13 Shkurt 2024
ministrja-rizvanolli-me-dy-zevendesit-vizitojne-digen-e-ujmanit,-diskutojne-“mundesite-per-investime”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot digën në liqenin e Ujmanit, ku është pritur nga kryeshefi i ndërmarrjes, Faruk Mujka.

“Së bashku me Zëvendës Ministrat, Geotar Mjeku dhe Nenad Stanojević u mirëpritëm nga Kryeshefi Faruk Mujka, ku diskutuam mbi performancën e ndërmarrjes, sigurinë e digës dhe mundësitë për investime në hidrocentral dhe përgjatë kanalit”, ka shkruar Rizvanolli.

“Nivelet e ujit në digën e liqenit të Ujmanit aktualisht janë ndër më të lartat me 303 milionë metra kub. Me sasinë e ujit 5 metra nën maksimum, ajo qëndron stabile e aty punojnë 21 punëtorë”.

Aty janë vendosur pajisjet për matjen e lëvizjeve seizmike dhe për sigurinë e digës, e po punohet edhe në vendosjen e sensorëve në mënyrë që nivelet e ujit të kontrollohen edhe nga dhoma e kontrollit në Shkabaj. Niveli i rrjedhjeve në trupin e digës dhe stabiliteti i digës aktualisht kontrollohen nga galeria e cila gjendet në 90 metra thellësi.

Ndërmarrja “Ibër Lepenci” e cila menaxhon këtë digë, në vitin 2023 ka siguruar të hyra në vlerë prej 10 milionë euro. Rritje të lartë ka pasur edhe prodhimi i energjisë elektrike nga Hidrocentrali që gjatë vitit 2023 ka shënuar rekord e janë prodhuar 146 mijë megavatëorë energji elektrike, që shënon rritje prej 95% prej vitit paraprak.

“Përgjatë vizitës takuam edhe patrollën e policisë tek diga e vogël kompensuese, një patrollë profesionale e multi-etnike që me zell e përkushtim po punojnë për sigurinë e të gjithë qytetarëve” ka shkruar Rizvanolli.

 

Komento: