
Kosova ende po i vuan pasojat e luftës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kujton se më 1 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, njësitë paramilitare serbe të udhëhequra nga grupi “Çakejt”, rrethuan dhe me pas hynë në brendësi të fshatit Lybeniq të Pejës, transmeton Reporteri.net.
“Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, i ekzekutuan mbi 80 persona në mënyrën më mizore. Në mesin e të masakruarve kishte burra, gra e fëmijë. U vra edhe një foshnje 18 muajshe. U vra, masakrua dhe u zhduk edhe një grua shtatzënë”, shkruan Kurti në Facebook.
Tutje, shkruan se në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë, u masakruan mbi 60 burra, gra e fëmijë. Anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, bashkë me shtëpi u dogjën të gjallë e të vdekur. Në mesin e vrasësve kishte edhe fqinjë të tyre.
“Drejtësia e munguar e bën dhimbjen edhe më të rëndë. Nuk i harrojmë kurrë”, përfundon Kurti.
Më herët, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se prilli i vitit 1999 është dëshmi e gjenocidit serb të kryer ndaj shqiptarëve, dëshmi e torturës, vrasjes dhe zhdukjes me forcë të më shumë se 1500 civilëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve ishin edhe fëmijë, gra e pleq, transmeton Reporteri.net.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook, tha se “Sot dhe përgjithmonë kujtojmë të gjithë ata të cilët ishin viktimë e masakrave të kryera në të gjithë territorin e Kosovës nga forcat serbe 23 vite më parë”.
“Ne mbetemi të përkushtuar drejt vënies së drejtësisë për mizoritë dhe padrejtësitë e shkaktuara nga pushteti serb ndaj popullit tonë. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të cilat ranë për liri”, përfundoi ministrja Haxhiu.
Sot në Kosovë u shënua 23 vjetori i Masakrës së Lybeniqit.
Edhe presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glaul Konjufca dhe kryetarin e Pejës, Gazmend Munaxheri kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në 23 vjetorin e Masakrës së Lybeniqit. Osmani ka thënë se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që sot të gëzohet liria.
Ajo ka shtuar se nuk duhet rreshtuar së punuari derisa kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë.
“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, Osmani. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”.
Më 1 prill të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe rrethuan dhe më pas hynë në brendi të fshatit Lybeniq të Pejës, duke vrarë mbi 80 civilë, disa prej tyre edhe i dogjën.
“Është ditë dhimbjeje, sepse janë vëllezërit dhe motrat tona, e ditë krenarie sepse gjaku i tyre për liri ka bërë që ta gëzojmë shtetin, ta gëzojmë pavarësinë, shtetësinë e Republikës së Kosovës”, tha kryekuvendari Glauk Konjufca.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë monitoron dhe analizon gjykimet për krimet e luftës të kryera kundër civilëve para gjykatave në Kosovë.
Siç është raportuar në vitin 2021, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka monitoruar gjithsej 50 seanca gjyqësore në tetë raste, lidhur me aktakuzat për krime lufte kundër civilëve.
Sipas raportit të këtij fondi, gjatë vitit 2021, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte të kryera në periudhën 1998-’99, ndërkaq që nga përfundimi i luftës e deri më tash, 72 persona janë dënuar para gjykatave vendase.