“Dominimit gati 400-vjeçar të Perëndimit në botë, po i afrohet fundit. Pikërisht për shkak të përpjekjes së Perëndimit që të ruajë këtë dominim, kemi ardhur në këtë gjendje jostabiliteti në botë. BE e ka kaluar kulmin e zhvillimit të vet dhe tash ndodhet në krizë sistemore. Serbia është vend i pavarur dhe i duhet të kuptojë se çfarë ajo dëshiron, pasi anëtarësimi në BE sjell me vete edhe pluse dhe minuse të caktuara”, ka thënë këto ditë, ambasadori rus në Serbi, duke shtuar se kjo varet nga vet BE dhe se në këtë drejtim situata nuk është në favor të Serbisë, duke lënë të kuptohet se jo të gjitha vendet e BE-së e duan Serbinë në radhët e veta, me çdo kusht.
Kjo qasje ruse, sidomos intensiteti i angazhimit rus, shpjegon shumëçka që po ndodhë në Ballkanin Perëndimor, ku ende po ruhen me fanatizëm pozicionimet e fillimit të shekullit të kaluar,. sidomos me ambiciet serbe për të dominuar me çdo kusht dhe me ndihmën (jo vetëm) të Rusisë dhe të disa vendeve evropiane të cilat herë pas herë sikur e harrojnë se e kanë njohur Kosovën dhe reagojnë dhe votojnë sipas hartave, interesave dhe miqësive të vjetra.
Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, na solli me vete jo vetëm lajmin për vizat, por edhe diçka nga këto dilema dhe interesa të vjetra në Ballkan. Qysh me kuptu ndryshe këtë angazhim, me alarm, të austriakut me kapelë evropiane, për interesat e Serbisë?
Në Mesjetë lajmëtarët i dallonin nga larg, sipas shenjave. Ata, kur sillnin lajme të mira, dalloheshin nga larg prej kapelës së bardhë mbi kokë. E zeza paralajmëronte lajme të këqija, apo rrezik. “Kapela” e komisionerit Hahn, kësaj radhe, përpos që paralajmëronte lajm të keq për vizat, paralajmëron edhe rrezik, kërcënim të mbuluar për Kosovën, nëse nuk hiqen taksat. Kjo flet për baraspeshën e krijuar pas “rikthimit” rus , bllokadave serbo-ruse dhe mundësisë që edhe SHBA të ndryshojë qasje.
Në Evropën mesjetare, qytetet ishin të rrethuara me mure të larta. Sot qytetet evropiane janë e kundërta e kësaj. Madje edhe shtetet janë “pa mure”, pa kufij mes vete. Por, me pjesën tjetër të botës, Evropa ka ndërtuar mure të larta, për t’u mbrojtur. Valët e refugjatëve më kot përplasen këtyre mureve. Me qindra humbin jetën në përpjekje për të kaluar andej.
Por, Evropa, vazhdimisht rritet. Kufijtë e jashtëm të Evropës, nga dekada në dekadë zgjerohen. Ballkani Perëndimor, me programin paraprak të zgjerimit, pas pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, është rrethuar nga të gjitha anët nga Bashkimi Evropian. Kështu, tash ndodhet edhe brenda edhe jashtë BE-së. Kështu, kjo pjesë, e pacifizuar, tashmë përmes një projekti gati 30-vjeçar të paqes, mbi parimin e mos ndryshimit të kufijve, po mbahet ende e izoluar, në njëlloj karantine. Karantina, tashmë e plotë, vlen vetëm për Kosovën ku diçka më pak se dy milionë qytetarë, nëpër rrugë tokësore, askund tjetër përpos në vendet fqinje nuk mund të udhëtojnë pa vizë. Kosova tash është e rrethuar nga jashtë, e izoluar me një mur imagjinar, por të fortë, i cili e ka emrin “vizë”.
Edhe pse ky vend u ndërtua nga Perëndimi, përfshirë institucionet, ligjet dhe gjithçka tjetër; edhe pse është i vetmi vend ballkanik i cili ka euron si valutë të vetme e NATO-n si ushtri, Kosova ka mbetur ujdhesa e fundit e izoluar, në detin e kaltër evropian. As yjet në flamurin e Kosovës, as (vetë)mohimi i identitetit kombëtar e fetar, nuk e bëjnë atë më të dëshirueshme për BE-në. Arsyet e këtij izolimi, nga vet natyra e mureve që na janë vendosur, shihet se nuk kanë të bëjnë me vet Kosovën, as me politikën e korruptuar , as me përkatësinë fetare, as me orientimin gjeopolitik tonë madje. Fundja, fqinjët në të gjitha këto fusha janë më keq. Nuk ka popull në kontinent më proevropianë se kosovarët.
Natyrisht, çështja e vizave nuk ka të bëjë as me taksën për produktet serbe, të vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ajo madje nuk është as luftë tregtare, si e paraqet politika në Serbi. Është masë krejtësisht politike e cila ka për qëllim që bllokadës serbe t’i përgjigjet me bllokadë. Edhe bllokada serbe e Kosovës, nga brenda (përmes komunitetit serb) dhe nga jashtë është krejtësisht (gjeo)politike. Përbrenda Kosovës, Qeveria serbe ka instaluar institucionet e veta të kosovarizuara vetëm në emër. Zyrtarët serbë në Kosovë nuk përfaqësojnë qytetarët serbë; ata përfaqësojnë shtetin serb në Kosovë dhe janë mekanizëm i krijimit dhe kontrollimit të krizave, sa herë që kjo i duhet Qeverisë serbe. Gjithçka që bën Serbia në raport me Kosovën, ka të bëjë me bllokimin dhe mos funksionimin e shtetit të Kosovës dhe zhbërjen e tij. Fushatës së egër serbe kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, dhe për tërheqjen e njohjeve nga disa vende, Qeveria e Kosovës iu përgjigj me një taksë e cila i ka shqetësuar partnerët serbë, pikërisht për faktin se e fut reciprocitetin në marrëdhënie, pra edhe në dialogun me Serbinë të cilin deri më tash e kanë udhëhequr pak a shumë në dëm të Kosovës dhe në përpjekje për të joshur Serbinë – pra edhe Rusinë.
Prandaj, as taksa e as oligarkia kosovare, as korrupsioni galopant, as mediat e kontrolluara, as gjyqësia nën kontroll të politikës, nuk janë arsye për procesin e bllokuar të vizave. Kushtet janë plotësuar, deklarojnë me radhë jo vetëm politikanët kosovarë por edhe ata evropianë. Ajo ku nuk ndikojnë dot asnjëra nga këto palë, është efekti i konceptit euroaziatik tek serbët dhe angazhimi i shtuar rus (dhe turk) për një koncept ndryshe rreth Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen edhe për një pjesë të politikës kosovare. Lajmëtari që na solli lajmin e keq, nxiti reagime të shumta ndaj tij nga politika, shoqëria civile, mediat, “të pavarurit”. Një pjesë madje e riktheu edhe retorikën e fillim shekullit të kaluar, për Evropën e cila nga patriotët tonë quhej me shumë emra përkëdhelës, të cilët sot nuk preferohen më.
Mos “vrisni” lajmëtarin, pavarësisht kapelës që ka vënë në kokë… Mos e “vrisni” lajmëtarin.