Mosliberalizimi i vizave, zhgënjim për qytetarët

00:00 | 10 Maj 2022

Kosova vazhdon të jetë njëri nga vendet më të izoluar në Evropë.

Në kuadër të shumë festave zyrtare në Kosovë, 9 maji është festë e Ditës së Evropës. Por Kosova as sot nuk e ka liberalizimin e vizave e as sinjalin se do të jetë pjese e BE-së. Megjithatë kjo ditë shënohet në Kosovë.

9 maji, Dita e Evropës, paradoksalisht vazhdon të festohet në mbarë vendin, ku të gjitha institucionet shtetërore janë në pushim.

Por disa nga ambasadat e huaja vazhduan punën e tyre, duke ju shërbyer qytetarëve kosovarë, të cilët po aplikonin për viza.

Qytetarët, që prisnin para ambasadave, hezituan të flasin e të tjerët që sot e kishin pushim thanë se kjo festë është e pakuptimtë.

Salihe Salihu, drejtoresh e Institutit shkencor kosovaro-danez, theksoi se Parlamenti Evropian në këtë aspekt, de fakto, na ka hyrë në hak, ngase dihet që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i janë kërkuar, të cilat, në krahasim me vendet e tjera, kanë qenë të dyfishuara.

Ndërsa këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Mehdi Murseli, lidhur me këtë çështje theksoi se kjo çështje është politizuar tej mase në vendet e BE-së, duke qenë peng i zgjedhjeve të shumta dhe problemet e brendshme të BE-së, RTK.

“Por ne besojmë që në përfundimin e zgjedhjeve në Gjermani dhe në Francë hapet një dritare dhe një mundësi e re për një hap që, tashmë, është i vonuar për qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.

Komento: