Mosvazhdimi i dialogut, Bashkimi Evropian dhe Qeveria ia lënë fajin koronavirusit

21:35 | 26 Nëntor 2020

BE-ja dhe qeveria ia lënë fajin koronavirusit për mosvazhdimin e dialogut.

Kosova dhe Serbia vazhdojnë të mos takohen tash e një kohë në Bruksel në kuadër të dialogut.

Ishte muaji shtator kur për herë të fundit kryeministri kosovar Avdullah Hoti ishte takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel në kuadër të dialogut i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Që nga ajo kohë, Hoti e Vuçiqi nuk janë takuar, mirëpo ka qenë ekipi i ekspertëve që është takuar në muajin tetor e që Kosova përfaqësohet nga Skender Hyseni, i cili edhe është emëruar nga qeveria, koordinator për dialogun me Serbinë.

Mirëpo është pala serbe ajo e cila po insiston që në takimet me palën kosovare të diskutohet çështje e asociacionit, e në anën tjetër për Kosovën çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po konsiderohet si temë e mbyllur.

Pikërisht për shkak të asociacionit kanë lindur dyshimet se mund të ketë “bllokadë” për vazhdimin e dialogut, por një gjë të tillë nuk po e thonë nga Qeveria e Kosovës.

Antigona Baxhaku, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se akoma nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga Bashkimi Evropian për takimin e radhës qoftë në nivelin e lartë apo të grupit të ekspertëve.

Sipas saj, arsyeja e mosmbajtjes së takimeve në Bruksel në kuadër të dialogut është pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

“Deri më tani nuk ka ardhur asnjë kërkesë apo propozim për ndonjë datë për takime në Bruksel. Arsyeja pse nuk ka takime është çështja e pandemisë me COVID-19, pasi siç e dini Bashkimi Evropian ka shumë telashe dhe situata është goxha e rëndë dhe pothuajse është komplet i bllokuar. Kështu që gjithçka pse ka vonesa faktikisht janë për shkak COVID-19”, ka treguar Baxhaku.

Ajo ka thënë se grupet punuese të ekspertëve janë duke e vazhduar punën e tyre edhe pse deri më tani nuk ka ndonjë datë për takimin e radhës qoftë në nivel ekspertësh apo të nivelit të lartë.

“Përndryshe grupet punuese të ekspertëve janë duke e vazhduar punën e tyre dhe në momentin që paraqitet apo propozohet ndonjë datë mendoj se do të vazhdohet procesi. Po flas për procesin teknik. Ndërkaq nuk ka njoftim apo kërkesë për caktimin e datës për takim të nivelit të lartë”, ka deklaruar Baxhaku.

Lajmi e ka pyetur edhe Bashkimin Evropian nëse çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë temë diskutimi qoftë në nivelin e lartë qoftë në nivelin e ekspertëve, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Stano po ashtu ka thënë për lajmi.net, se akoma nuk ka ndonjë datë të caktuar në lidhje me takimet e ardhshme qofshin ato në kuadër të nivelit të lartë apo të nivelit të ekspertëve.

Ai ka thënë se kurdo që krijohen kushtet, një gjë e tillë do të bëhet publike.

“Takimi i ardhshëm i dialogut të nivelit të lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të lejojnë kushtet. Kur bëhet fjalë për takimin në nivelin e ekspertëve, ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm kur është e përshtatshme”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Theksojmë, se Kosova dhe Serbia kohëve të fundit përplasjen më të madhe në dialog e kanë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo pasi që Serbia po kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, kurse Kosova nuk po e lejon një gjë të tillë duke e cilësuar si jokushtetuese dhe temë të mbyllur.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Komento: