MOSVEPRIMI I QEVERISË KA NXJERRË NGA QARKULLIMI EKONOMIK RRETH 500 MILIONË EURO – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

MOSVEPRIMI I QEVERISË KA NXJERRË NGA QARKULLIMI EKONOMIK RRETH 500 MILIONË EURO

Shkruar nga: Avdullah Hoti

10:03 | 22 Tetor 2022

Raporti i Komisionit Evropian për ekonominë e Kosovës për tremujorin e tretë 2022 thekson se:

1. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto u ulë në 2.1% kryesisht për shkak të rënies së investimeve totale me 16.8%.

2. Shpenzimet kapitale të Qeverisë u zvogëluan me 30%, që është shkaktari kryesor i ngadalësimit të rritjes ekonomike.

3. Deficiti tregtar i mallrave u thellua nga 51% në 53% të Produktit të Brendshëm Bruto.

4. Të hyrat buxhetore u rritën për 15% për shkak të inflacionit të lartë.

5. Si rezultat, suficiti i buxhetit të Qeverisë arriti në 2.9% të Produktit të Brendshëm Bruto.

A ka qenë e mundur të evitohen disa nga këto probleme ekonomike? Apo së paku të zbuten? Sigurisht që PO.

Ja dy masa të thjeshta që kanë qenë plotësisht nën kontrollin e Qeverisë:

1. Nëse do të mbaheshin shpenzimet kapitale të Qeverisë së paku si në vitet e mëparshme, e jo të uleshin me 30% apo me rreth 200 milionë euro, do të shtohej aktiviteti ekonomik, që do të rezultonte me normë më të lartë të rritjes ekonomike, më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe fitime për bizneset, si dhe më shumë tatime për shtetin.

2. Nëse Qeveria do të ulte TVSH-në dhe akcizën në disa mallra (në naftë në veçanti), atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi, në llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve.

Vetëm me këto dy masa të thjeshta do të qarkullonin në ekonomi edhe 500 milionë euro shtesë. Këto dy masa i kemi propozuar si opozitë. Dhe të dy masat kanë qenë plotësisht nën kontrollin e Qeverisë. Nëse do të ndërmerreshin me kohë, do të kishim një vit krejt tjetër në aspektin ekonomik dhe më lehtë do ta kishim përballuar krizën.

Një QEVERI E DJATHTË do të kishte vepruar kështu. Një QEVERIA E DJATHTË arriti që në kulmin e pandemisë dhe izolimit ekonomik, gjatë periudhës Qershor 2020 – Mars 2021, të fuste në ekonomi direkt dhe indirekt rreth 700 milionë euro. Kjo u arrit pavarësisht se të hyrat në buxhet kishin rënë me 600 milionë euro.

Komento: