Motra e kirurgut të zhdukur zbulon detaje: Grupi nuk ishte i organizuar, nga 28 veta vetëm pesë shpëtuan

19:30 | 29 Korrik 2026
motra-e-kirurgut-te-zhdukur-zbulon-detaje:-grupi-nuk-ishte-i-organizuar,-nga-28-veta-vetem-pese-shpetuan

Lutfije Ademi-Vokshi, motra e kirurgut të zhdukur Kirigu Adem Ademi, ka rrëfyer në emisionin “Gazeta” në Kanal 10 se grupi me të cilin ishte nisur vëllai i saj gjatë luftës në Kosovë nuk kishte qenë i organizuar, por ishte formuar krejtësisht në mënyrë rastësore nga njerëz që përpiqeshin të shpëtonin jetën. Sipas saj, nga grupi prej 28 personash, vetëm pesë arritën të mbijetonin, ndërsa për 23 të tjerët familjet ende nuk e dinë fatin e tyre, edhe pas 27 vjetësh.

Ademi-Vokshi tha se grupi nuk ishte krijuar me ndonjë plan apo organizim paraprak, por ishte formuar gjatë rrugës, teksa njerëzit bashkoheshin nga fshati në fshat.

“Nuk ka qenë grup i organizuar. Gjithçka ka qenë rastësisht. Janë mbledhur një nga një, prej një fshati në tjetrin, nga tre ose katër veta. Të gjithë kanë qenë intelektualë – doktorë, profesorë, inxhinierë. Grupi është formuar rastësisht, jo me pretendim për ta lëshuar Kosovën, por vetëm për të shpëtuar jetën”, u shpreh ajo.

Sipas saj, grupi kishte arritur deri në fshatin Kotor-Drethaj, pranë kufirit me Malin e Zi, me shpresën se do të arrinte ta kalonte kufirin.

“Kur kanë mbërritur në fshatin Kotor, e kanë pasur shumë afër Malin e Zi. Fshati Kotor-Drethaj është në kufi me Zubin Potokun dhe prej aty del menjëherë në Mal të Zi. Kanë tentuar të shpëtojnë duke kaluar kufirin”, rrëfeu Ademi-Vokshi.

Ajo tha se nga 28 personat që ishin në grup, vetëm pesë arritën të shpëtonin, ndërsa për 23 të tjerët nuk është mësuar asnjëherë fati.

“Kanë qenë 28 veta. Pesë prej tyre kanë shpëtuar, ndërsa për 23 të tjerët, tash e 27 vjet, nuk është ditur kurrë fati i tyre”, tha ajo.

Duke folur për angazhimin e saj në kërkimin e së vërtetës, Ademi-Vokshi theksoi se përmes shoqatës që drejton vazhdon të punojë çdo ditë për çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Meqenëse e kam shoqatën dhe merrem me çështjen e personave të zhdukur, punoj vazhdimisht në këtë drejtim. Jam në kontakt me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, me përfaqësues të institucioneve dhe me ambasadorë, në përpjekje që të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve”, deklaroi Ademi-Vokshi.

Për më shumë, ndiqeni videon e bashkëngjitur.

Komento: