Mourinho befason pas humbjes nga Juventusi

11:50 | 18 Tetor 2021

Mourinho pas humbjes nga Juventusi: Humbi skuadra më e mirë në fushë.

Roma u mposht nga Juventusi në derbin e xhiros së tetë në Serie A, transmeton lajmi.net.

Juventusi fitoi me golin minimal të shënuar nga Moise Kean në minutën e 16-të, gjersa romakët kishin shansin që të barazonin rezultatin në fund të pjesës së parë me anë të Veretout, por dështoi nga pika e penalltisë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Mourinho theksoi se skuadra më e mirë humbi në këtë takim, duke qenë krenar me performancën e zhvilluar të lojtarëve të tij në këtë takim.

“Sot mund të them vetëm Romë e madhe”, tha Mourinho në fund të ndeshjes. “Padyshim që një humbje është një humbje, por nëse shikoj projektin, duhet të shikoj gjithashtu rritjen e ekipit dhe mënyrën se si ata luajnë.”

“Ne nuk shënuam asnjë gol, por unë vetëm mund t’i përgëzoj të gjithë. Sipas mendimit tim, skuadra më e mirë në fushë humbi sot.”

“Episodin e penalltisë nuk dua të komentoj. Unë nuk kam të dhëna në dorë, nuk kam dëgjuar asgjë. Unë dua të izolohem nga ky episod dhe të përqendrohem në atë që ekipi im ka bërë. Shpresoj që dikush të thotë publikisht fjalët që dëgjuam nga dhoma e zhveshjes së Juves: ata erdhën për të na uruar ”, vazhdoi Mourinho.

“Ata e dinë që ne e merituam. Unë fitova këtu disa vjet më parë pa e merituar dhe humba sot duke luajtur një lojë që tregon drejtimin në të cilin po shkojmë. Por një humbje është një humbje dhe numrat flasin vetë”.

Portugezi krejt në fund foli edhe për hierarkinë e ekzekutuesve të penalltisë të skuadrës.

“Lojtarët e penalltisë? Abrahami është një djalë plot vetëbesim, ai ishte i përfshirë në penallti. Hierarkia është e qartë: Veretout, Pellegrini, Abraham. Por në atë moment nëse një lojtar tjetër vendos të gjuaj për mua nuk është problem. Si ai ashtu edhe Veretout luajtën një lojë të mrekullueshme. Gjëja e rëndësishme është që të mos shkojmë në shtëpi me keqardhje: kemi luajtur mirë”, përfundoi Mourinho.

Komento: