Mr. Ukshin Hoti – mungesë e delegacionit shqiptar

12:38 | 17 May 2019

(Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, në kuptimin e gjallë dhe më të lartë të fjalës, për Atdhetarin e paepur dhe Intelektualin jashtëserik të botës shqiptare, Mr. Ukshin Hoti, sot, më 16 maj, datën e kobshme të zhdukjes së tij nga zyrtarët kriminelë të Beogradit, po e ripublikoj këtë shkrim timin, të botuar më 10 shkurt 1999, në gazetën “Bota sot“. Në atë kohë, ishte ky një shkrim shqetësimi dhe proteste për moskushtëzimin e pjesëmarrjes së delegacionit shqiptar të Konferencës së Rambujesë, me lirimin e Mr. Ukshin Hotit, nga bugu serb.)
***
Që nga artikulimi i fuqishëm dhe përfundimtar i kërkesës së shqiptarëve për Republikën e Kosovës (1981), Mr. Ukshin Hoti është bërë simbol i kësaj Republike. Emri, vepra, fati, fatkeqësia, vuajtjet, perspektiva dhe gjithçka tjetër nga jeta e tij. , që nga viti 1981 e deri në ditët e sotme, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me Republikën e Kosovës.

Nuk mund të gjendet, qoftë edhe një intelektual tjetër, ndër shqiptarët e Kosovës, që të jetë angazhuar me aq përkushtim për jetësimin e Republikës së Kosovës, dhe që të ketë pësuar aq shumë për angazhimin e tij, sa Mr. Ukshin Hoti.

Aktualisht, ai është i burgosuri më i mirëfilltë politik ndër shqiptarët e Kosovës, që po vuan në burgjet dhe në kampet serbe, dhe njëkohësisht, siç u dëshmua edhe gjatë parapërgatitjeve të Rambujesë, i lënë në harresë dhe në vetmi, nga vetë grupimet politike-ushtarake të Kosovës: UÇK-ja, LBD-ja dhe LDK-ja, pa i përmendur këtu “të pavarurit“, Veton Surroi dhe Blerim Shala, të delegacionit shqiptar të Rambujesë.

Për ata që e njohin nga afër dhe nga brenda Ukshin Hotin, që i njohin përgatitjen e tij të lartë profesionale dhe atë të përgjithshmen, atdhetarizmin dhe patriotizmin e tij, njohjen e shkëlqyer të gjuhëve kryesore të Perëndimit, tiparet e personalitetit të tij, si: guximi, vendosmëria, burrëria, ndershmëria, karakteri i tij i fortë dhe i mirë, etj., pastaj, autoritetin e tij, ndër shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë dhe, si rrjedhim, mundësinë e ndikimit të tij në orientimin dhe në përcaktimin e zhvillimeve në Kosovë;

Për ata që i njohin rrethanat në Kosovë dhe personalitetet më të njohura të saj, sidomos brenda dhjetë vjetëve të fundit; për ata që e njohin politikën dhe praktikën e regjimeve të Beogradit, kundrejt shqiptarëve, – është shumë e qartë dhe, njëkohësisht, e pakontestueshme se dënimi i fundit me burg, në kohëzgjatje prej pesë vjetësh, i Mr. Ukshin Hotit, më tepër se me “fajet“ e bëra prej tij, kundrejt regjimit serb, është i lidhur me ndikimin e mundshëm të Hotit në shpjegimin e drejtë të zhvillimeve në Kosovë, në orientimin dhe në përcaktimin e zhvillimeve në vend dhe në rezistencën vërtet aktive të shqiptarëve të Kosovës….

Qëllimi i dënimit të Mr. Ukshin Hotit, pra, ishte mënjanimi i tij nga skena politike e Kosovës, pastaj, pamundësimi e tij për të ndikuar në orientimin dhe në përcaktimin e zhvillimeve në Kosovë dhe për të ndikuar në zgjimin e rezistencës aktive të shqiptarëve të Kosovës, kundër regjimit të Beogradit. Qëllimi i atij dënimi, më në fund, ishte pamundësimi i përfshirjes së Hotit në delegacionin shqiptar që, më heret apo më vonë, por doemos, do të bisedonte me palën serbe.

Dhe, në qoftë se çdo dënim politik bëhet për të pasur një efekt dhe për të arritur një qëllim të caktuar dhe të paramenduar mirë, atëherë, mund të thuhet, me dënimin e Mr. Ukshin Hotit, regjimi i Beogradit e ka arritur qëllimin e tij.

Me mbajtjen e Mr. Ukshin Hotit në izolim të plotë dhe larg ndikimit në zhvillimet në Kosovë, në skenën politike të Kosovës kanë mundur të qëndrojnë lirshëm diletantët në fushë të politikës e të organizimit, të diplomacisë e të shtetit, dhe personalitete të dyshimta, në rrafshin kombëtar. Këta e përbëjnë edhe delegacionin shqiptar, në nivelin më të lartë në takimet ndërkombëtare, ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe.

Gjithë faza parapërgaditore e takimit shqiptaro-serb ka qenë një rast ideal dhe, me siguri, një rast i papërsëritshëm për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të Mr. Ukshin Hotit nga burgu, me arsyetim të thjeshtë, të qartë dhe të fortë, se Ukshin Hoti, doemos, duhet t’i bashkohet delegacionit shqiptar, që udhëton për Paris, për të biseduar me palën serbe.

Kjo kërkesë do të duhej të përsëritej fuqishëm nga çdo grupim politik shqiptar, që është takuar me ndërmjetësit ndërkombëtarë, që po merreshin me përgatitjen e takimit shqiptaro-serb të Parisit. Në këtë kërkesë, delegacioni shqiptar do të duhej të këmbëngulte, deri në momentin e fundit, dhe me të do të duhej edhe ta kushtëzonte, shkuarjen e tij në Rambuje.

Gjasat për lirimin e Mr. Ukshin Hoti nga burgu, kësaj radhe, kanë qenë më të mëdha se sa asnjëherë tjetër, sepse edhe presioni i qendrave ndërkombëtare të vendosjes, mbi regjimin e Beogradit, ishte më i vendosur dhe më i fuqishëm se kurrë. Kjo u pa edhe në rastin e “kompromisit“ të palës serbe për të biseduar me UÇK-në, të përfshirë në delegacionin shqiptar të Rambujesë.

Me insistimin e grupimeve politike shqiptare për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu dhe për bashkimin e tij delegacionit shqiptar të Rambujesë, dhe me ngritjen e këtij insistimi në kusht për pjesëmarrjen e shqiptarëve në takimin e Parisit, me “Rastin Hoti“ do të informohej opinioni i jashtëm, për burgosjen e mendimit politik shqiptar nga regjimi i Beogradit , dhe vetë “Rasti Hoti“ do të ndërkombëtarizohej në shkallën më të lartë dhe, edhe nëse nuk do të arrihej lirimi i Hotit nga burgu, e gjitha kjo, do të ndikonte në garantimin e sigurisë së jetës së tij, për këta dy-tre muaj, që i kanë mbetur për vuajtjen e dënimt në burgjet serbe.

Nga tri-katër grupimet e mëdha shqiptare-pjesëmarrëse në takimin shqiptaro-serb të Rambujesë, prej LDK-së as që mund të jetë pritur aktualizimi i kërkesës për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu serb dhe, aq më pak, interesimi i saj për përfshirjen e Hotit në delegacionin shqiptar të Rambujesë. Për më tepër, siç dihet, drejtuesit e saj mezi “i kishte qëruar hesapet“ me Ukshin Hotin, qysh kur ai ishte kryetar i LDK-së, në rrethin e Rahovecit.

Nga dy grupimet e tjera, UÇK-ja dhe LBD-ja, ndërkaq, që janë më afër pikëpamjeve të Ukshin Hotit, është pritur kushtëzimi i shkuarjes së tyre në Rambuje, me lirimin e Hotit nga burgu dhe me përfshirjen e tij në delegacionin shqiptar të Rambujesë, jo vetëm për meritat e Ukshin Hotit, por, në radhë të parë dhe para së gjithash, për kontributin që Hoti do të mund të jepte në mbrojtjen e interesave të Kosovës, edhe në Rambuje të Francës. Por, si po duket, UÇK-ja dhe LBD-ja, përkatësisht përfaqësuesit e tyre, më shumë janë të preokupuar për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në delegacionin shqiptar të Rambujesë, sesa për ta ngritur kualitetin e delegacionit shqiptar.

Komento: