
Ndërsa, analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë për Front Online se kjo që kanë bërë tre krerët e shtetit është mungesë e traditës institucionale dhe kulturës politike.
“Është një gjë që as që do të duhej të diskutohej pasi është kaq e thjeshtë dhe lehtë e realizueshme. Pra, është e pakuptueshme se si nuk arrijnë t’i koordinojnë veprimet në mënyrë që njëri prej liderëve të qëndroj në Kosovë, veçanërisht në një kohë kaq të vështirë kur çdo ditë dalin informata të reja sa i përket sulmit në veriun e Kosovës, ndërsa në anën tjetër kemi vizita të cilat nuk janë urgjente dhe nuk kanë ndonjë peshë jashtëzakonisht të madhe që mund të shtyheshin për një datë tjetër pas disa ditëve”, është shprehur Muhaxhiri për Front Online.
Sipas tij, liderët e shtetit e kanë shkelur protokollin, pasi që njëri prej tyre patjetër duhet të qëndrojë në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç. Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste, e cila mbahet në Liverpool. Konferenca vjetore e Partisë Laburiste ka filluar këtë të diel në qytetin e Liverpoolit dhe pritet të zgjasë deri të mërkurën e 11 tetorit.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka udhëtuar dje drejt Gjermanisë, për të zhvilluat shtatë takime./Front Online