Mungon njëri nga të paditurit, shtyhet gjykimi për vërtetim dhe kthim të pronës në Çagllavicë

11:18 | 12 Qershor 2024
mungon-njeri-nga-te-paditurit,-shtyhet-gjykimi-per-vertetim-dhe-kthim-te-prones-ne-cagllavice

Për shkak se i padituri H.Th., nuk ishte prezent, ka dështuar të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi në rastin ku shtatë paditës po kërkojnë vërtetimin dhe kthimin e tokës, që ishte rishitur në Çagllavicë.

Përmes padisë pretendohet se shitësi tani i ndjerë U.S, në maj 2001-ës, pasi ka bërë ndryshime në operatorin kadastral- Drejtoria për Kadastër në Prishtinë, duke e kthyer në pronësi të tij, të njëjtën ua ka rishitur 11 personave të tjerë.

Andaj, në këtë rast paditësit A.B., Rr.B., B.B., B.B., T.B., B.B dhe H.B., po kërkojnë nga të paditurit B.U-S., B.M., H.M., N.S., V.S., Sh.V., K.M., H.M., H.Th., M.H dhe S.R., vërtetimin dhe kthimin e pronës, e cila thuhet se ishte blerë me kontratë nga viti 1970, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Kosovare Musliu-Proshkaj tha se i padituri H.Th., nuk e ka arsyetuar mungesën Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Ndryshe, më 22 shkurt 2022, kishte filluar rishtazi gjykimi në këtë rast.

Padia ka të bëjë me pronën e cila gjendet në vendin e quajtur “Vërboviqiq Guzhni Gllog” në Çagllavicë, të cilën pronë paditësi Rr.B., së bashku me babanë e tij, tani të ndjerin Rr.B, pretendon se e kishin blerë në muajin shtator të vitit 1970, prej tani të ndjerit, U.S.

Në padinë e tyre, theksohet se të njëjtit kanë paguar çmimin e shitblerjes dhe tokën e kanë shfrytëzuar deri në vitin 1998, kur për shkak të situatës së krijuar të sigurisë, kanë ndërprerë punimet në të. Mirëpo, në vitin 2003 thuhet se i padituri i parë B.U-S., këtë pronë të paluajtshme e ka ndarë në ngastra dhe të njëjtat ua ka shitur të paditurve tjerë.

Kontratat mbi shitblerjen e paluajtshmërive lëndore, thuhet se janë vërtetuar në periudhën nga muaji mars-nëntor 2003 pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe për këtë, në maj të vitit 2003 është ushtruar padia, me të cilën kanë kërkuar që të vërtetohet e drejta e pronësisë.

Lidhur me këtë çështje kontestimore, më 16 qershor 2015 gjyqtarja Frosina Sylejmani kishte anuluar masën e përkohshme të sigurisë, të caktuar me aktvendimin e 19 majit 2014, i cili aktvendim ishte marrë nga gjyqtari Nehat Idrizi.

Pala paditëse, përmes përfaqësuesit- avokatit Ragip Zeneli, kundër këtij aktvendimi kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Në atë ankesë, ishte theksuar se e kontestojnë aktvendimin e gjyqtares Sylejmani, për shkeljen e dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e Apelit, më 25 janar 2016, kishte marrë vendim me të cilin kishte prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështja iu ishte kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhej se ankesa e të autorizuarit të paditësit Rr.B., avokatit Ragip Zeneli, ishte e bazuar pasi që në vendimin e gjyqtares Frosina Sylejmani nuk janë treguar arsyet mbi faktet vendimtare.

Madje, thuhet se sipas tyre me rastin e marrjes së vendimit kjo gjykatë nuk është lëshuar që të analizojë shkaqet që e bëjnë të caktohet apo jo masa e sigurimit ashtu siç parashihet me ligj.

Me këtë vendim, çështja ishte kthyer përsëri te gjyqtarja Frosina Sylejmani, e cila ishte udhëzuar që ta mbajë seancën lidhur me propozimin për masën e sigurisë, të eliminojë të metat e cekura në aktvendim, në mënyrë që të shikojë se kundërshtarët e sigurimit a kanë marrë ndonjë veprim subjektiv që do të bënte të besueshëm faktin se do të bëjnë tjetërsimin me anë të shitblerjes, ndërrimin apo ngarkimin me hipotekë apo barrë tjetër sendore të ngastrave si në padi dhe në propozimin për masën e sigurisë, dhe në këtë mënyrë të marrë një vendim të arsyetuar mirë në këtë çështje juridike-kontestimore.

Komento: