Murati flet për pagën minimale: Me 250 euro nuk mbahet familja

23:42 | 23 Mars 2022

Paga minimale po synohet të rritet në vendin tonë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7 se kundërshtimi i sindikatave për rritjen e pagës minimale në 264 euro është i pakuptimtë pasi ata në të kaluarën kanë kërkuar edhe më pak, por qeveritë e kaluara nuk ua kanë miratuar.

Murati thotë se paga e propozuar për 264 euro, është 250 euro neto pas kontributeve pensionale. Ai shton se sindikatat “po kërkojnë të rritin pazarin”.

“Tash premtimi ynë ka qenë që paga minimale do të jetë 250 euro. Do ta mbajmë këtë premtim. Tash propozimi ynë shkon përtej asaj. Pra 264 euro dhe 250 neto pa kontributin pensional. Në të kaluarën jo që kanë pranuar, por vet kanë propozuar. Qeveria nuk ua miratoi. E tash kur qeveria propozon më shumë atëherë sindikatat po lypin pazarin. Sic thotë populli po e hypi pazarin”, ka thënë ai.

Ai tutje pajtohet me faktin se 250 euro në muaj nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur financiarisht një familje, por ai shton se qëllimi i qeverisë është që të rritet punësimi.

“Nuk ka shpjegim tjetër. Për të elaboruar rreth bisedës për pagën minimale. E dimë se qytetari thotë se me 250 euro nuk mbahet familja. Pajtohemi me këtë. Nuk është logjika aty. Ne kërkojmë të rritim punësimin e jo të punojë vetëm një person në familje 4 apo 5 anëtarëshe, por 3 apo më shumë dhe barra të mos bie vetëm mbi njërin”, shtoi ai.

Komento: