Murati i kundërpërgjigjet shpejt Hotit: Ju na latë edhe pa terminale, edhe pa çerdhe

23:29 | 17 Nëntor 2022

Me shpejtësi i ka reaguar ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati një akuze të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti lidhur me shtetëzimin e terminaleve doganore.

Hoti më herët, tha se shtetëzimi i terminaleve doganore do t’i kushtojë qytetarëve të vendit 9.1 milionë euro, para që do të shpenzohen për renovimin e tyre. Me këto para, sipas Hotit do të ndërtoheshin 20 çerdhe.

Ministri Murati e ka pyetur publikisht Hotin se sa çerdhe i ka ndërtuar qeveria e tij me paratë e kursyera nga privatizimi i terminaleve.

Ai ka thënë se qeveria e VV po i shtetëzon terminalet dhe po ndërton çerdhet.

“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursy nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje. Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet! Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe. Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se u desh të ndërrohej qeveria për t’i funksionalizuar çerdhet e pafunksionalizuara nëpër komuna.

“U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, ka shkruar në fund Murati.

Komento: