Murati: Synojmë të punësojmë nga një anëtar për familje.

10:58 | 07 Qershor 2022

Ministri Murati: Synojmë të punësojmë nga një anëtar për familje.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati është deklaruar sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Me këtë rast, Murati ka prezantuar masat e veçanta dhe aktivitetet e ministrisë,në fushën e mirëqenies sociale.

Murati tha se si Qeveri janë munduar që të marrin masa të nevojshme që të adresojnë mbështetjen ndaj qytetarëve.

Ministri Murati përmendi gjithashtu mbështetjen për familjet të cilat kanë humbur anëtarë të familjes nga COVID-19, skemat sociale si dhe pensionet e mbështetjen për gratë lehona dhe fëmijët.

“Kemi pasur një sërë masash tek mbështetja për familjet që kanë humbur familjarë nga Covid-19 me nga 1500 euro, me ç’rast kanë marrë këto mjete secila familje. Jemi mundur të përkujdesemi për ato familje që kanë humbur një anëtar të familjes. Kemi pasur mbështetjen edhe për skema sociale si dhe mbështetja për pensionistë. Për këto kategori kemi pasur rritje 30 për qind për skema sociale. Tek pensioniste kemi bërë rritjen 11% për rritje bazike. Kemi shpërndarë kuponë ushqimor për mbi 10 mijë familje ku kanë përfituar nga 60 euro. Janë shpërnda 300 mijë shujta. Kemi pasur mbështetje edhe për lehonat, ku nga gushti kemi filluar me zbatimin e kësaj mase. E kemi parë të nevojshme të mbështesim edhe gratë e punësuara përveç lehonave që të marrin 6 muaj mbështetje”, tha ministri Murati para komisionit.

Ai theksoi se kanë pasur mbështetje edhe për punëtorët, e ku ishin 300 mijë përfitues.

“Kemi pasur mbështetjen edhe për punëtorë dhe kanë qenë 300 mijë përfitues. Ideja është që të punësojmë një anëtar të familjes. Projektligji për pagën minimale parasheh heqjen e tatimit për pagën që e ka 250 euro. Secilit të punësuar ajo pjesa që është ndalë tatim i dalin shtesë për pagën. Kemi rritur subvencionet për 60 për qind për bujqit marrë parasysh edhe krizën e çmimeve”, tha Murati.

Komento: