Mushkolaj, Gashi e Gjinovci e bëjn për ‘pesë pare’ ministrin Aliu pasi nënshkori marrëveshje me kolegjin ku punon

16:54 | 20 Prill 2022

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shfrytëzuar pozitën qeveritare për të lidhë marrëveshje me një kolegj privat në të cilin është i angazhuar si profesor dhe merr pagë. Kjo ka shkaktuar reagime të ish-bashkëpunëtorëve të kryeministrit Kurti dhe analistëve politikë.

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, e ka quajtur shkelje të premtimeve të Vetëvendosjes të cilët kanë proklamuar se do të mbështesin institucionet e arsimit të lartë.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë. Kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit. Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Gashi.

Ndërkaq ish-anëtari i VV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se qeveria Kurti 2 do të shkojë drejt dështimi kolosal me një qasje të tillë.

“Memorandum me privatët qeveria e majtë! Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar Gjinovci.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar marrëveshjen e ministrit Aliu me kolegjin në të cilin është i punësuar.

“Ministri nënshkruan marrëveshje me kolegjin privat, nga i cili paguhet si profesor. QR”, ka shkruar Mushkolaj.

Gjatë ditës, ministri Aliu njoftoi për marrëveshjen mes ministrisë që drejton dhe kolegjit ku punon duke thënë se marrëveshja forcon bashkëpunimin me universitetet dhe kjo qasje do të kontribuojë që planifikimi dhe orientimi strategjik, si dhe të gjitha vendimet që merren, të kenë bazë shkencore dhe në këtë mënyrë universitetet tona të japin kontributin e tyre në procese të rëndësishme.

Ministri Aliu në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsion për vitin e kaluar ka listuar aktivitetin si ligjërues në universitetin me të cilin lidhi sot marrëveshje në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës.

Komento: