Musliu pas raportimit të drejtorit të AKI-së: Gjendje në veri e qetë, ka mundësi të përshkallëzimit

12:35 | 09 Nëntor 2022

Ganimete Musliu pas raportimit të drejtorit të AKI-së: Gjendje në veri e qetë, ka mundësi të përshkallëzimit.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimet Musliu, ka thënë se gjendja në veri për momentin është e qetë.

Këtë garanci anëtarët e komisionit e kanë marrë nga kreu i AKI-së, Petrit Ajeti, pasi ky i fundit raportoi në Komision për gjendjen e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

Por Musliu tha se mundësia e përshkallëzimit të situatës ekziston dhe se institucionet duhet të jenë të vëmendshme.

“Sot e kishim në raportim rreth gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës drejtorin e agjencisë për inteligjencë të Kosovës Petrit Ajeti me të cilin diskutuam gjer e gjatë dhe u informuam për gjendjen në veri. Sa i përket gjendjes së sigurisë mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Prandaj institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm. Sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim të institucioneve të vendit. Bashkëpunim më i madh i qytetarëve të Kosovës me institucione të sigurisë dhe apel për mediet për qytetarët që ti shmangeni dezinformatave të cilat dalin nga mediet serbe sepse na rastis të biem pre e lajmeve të rreme”.

“Si Komision jemi unik në qëndrimet tona dhe i ofruam mbështetjen tonë drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar në vend. Ne do të jemi të kujdesshëm të mos i lëndojmë proceset që janë duke u zhvilluar atje. Tani më shqetësimet i kemi të njëjta nga tereni por gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë por të jemi vigjilentë për të mos provokuar situatën. Stacionet policore janë të boshatisura mirëpo policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit atje”. /EO

Komento: