Mustafa kujton Fadil Vokrrin: Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent si Vokrri

10:36 | 09 Qershor 2020

Mustafa: Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent si Vokrri.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes së Fadil Vokrrit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kujtoi ikonën e futbollit kosovar duke thënë se ai është motivi kryesor për çdo sportist të ri që synon të arrijë suksese.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Mustafa çmoi kontributin e Vokrrit në anëtarësimin e Kosovës në institucionet më të larta të futbollit si FIFA dhe UEFA.

“Sot, në dyvjetorin e vdekjes përkujtojmë ikonën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin. Vokrri ishte personalitet me vlera të larta njerëzore dhe sportist i nivelit ndërkombëtar”, thuhet në telegramin e Mustafës.

“Ai me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtar, arriti që vendin tonë ta anëtarësoj në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit në nivel botëror në UEFA dhe FIFA”.

“Emri dhe figura e Fadilit do të jenë motivi i cdo të riu që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit. Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent të rrallë siç ishte Fadili. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Vokrrit”.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

Komento: