Mustafa thotë se Bulliqi ka qenë shkaktar që sot Kosova nuk e ka liberalizimin e vizave

23:58 | 02 Dhjetor 2020

Mustafa ka thënë se Bulliqi dhe ata që janë me një këmbë jashtë LDK’së na e pamundësuan liberalizimin e vizave.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se Shpejtim Bulliqi ka qenë shkaktar që sot Kosova nuk e ka liberalizimin e vizave.

Mustafa në një emision televiziv u pyet se a është shkaktar Bulliqi që sot Kosova nuk e ka liberalizimin e vizave, ai tha se është i bindur që ai ka qenë shkaktari.

“Jam shumë i bindur që po, edhe Bulliq edhe disa të tjerë që akoma janë LDK dhe disa të tjerë që me një këmbë janë në LDK dhe me një tjetër jashtë LDK-së. Tash unë nuk po i cilësoj si emër, mirëpo ata janë deklaruar kundër, sepse po të votonin deputetët tanë ne e kalonim demarkacionin dhe e kishim liberalizimin e vizave”, tha Mustafa në Rubikon.

Por, kur u pyet se a e ka fjalën për Vjosa Osmanin, ai thotë se ajo e ka përkrahur Bulliqin.

“Sa për Osmanin nuk mund ta them, se ajo nuk e ka drejtuar këtë proces, por ajo atëherë e ka përkrahur zotri Bulliqin dhe më ka kritikuar mua se nuk po e kuptoj se çka po thotë Bulliqi”, shtoi Mustafa.

Komento: