Nagavci tregon se sa orë janë humbur, si pasojë e grevës së SBASHK’ut

21:30 | 12 Shtator 2022

Greva në arsim po vazhdon.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se janë mbi 580 mijë orë të humbura, si pasojë e grevës në arsim të inicuar nga SBASHK-u.

Sipas Nagavcit, pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët që vijojnë mësimin në shkollat publike, ngase sektori privat ka vazhduar punën.

“E para që duhet të diskutojmë është se kush po e pëson dhe për fat të keq pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në shtatë ditët e grevës janë më shumë se 580 mijë orë të humbura dhe ajo që është po ashtu problematike është se pasojat e grevës po i bartin vetëm fëmijët që vijojnë mësimin në shkollat publike sepse sektori privat po punon”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.

Ajo ka thënë se të martën e 13 shtatorit do të ketë një takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Këshillit grevist.

Megjithatë, sipas Nagavcit kjo nuk është hera e parë që ajo takon kryesinë e SBASHK-ut.

“Si ministri e qeveri i kemi takuar në vazhdimësi dhe kemi adresuar pjesën më të madhe të kërkesave që SBASHK i ka pasur gjatë kësaj kohe”.

“Që nga marrja e detyrës sime si ministre kam pasur takimin e parë me kryesinë e SBASHK-ut dhe që nga ajo ditë kemi pasur me dhjetëra takime. Përtej takimeve pas shpalljes së grevës ndonëse kërkesa ishin të sindikatës ne bëmë hapin e parë për t’i ftuar në takim”, shtoi ajo.

Komento: