Në shoqërinë njerëzore, njënacionale a shumënacionale, historikisht kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, edhe sot e gjithë ditën, dy ndarje, dy orientime themelore: ndarja vertikale ose lart-poshtë e shoqërisë dhe orientimi horizontal ose djathtas-majtas brenda shoqërisë.
Brenda këtyre ndarjeve dhe orientimeve kanë mundur të renditen dhe janë renditur të gjithë individët, të gjitha grupet shoqërore dhe të gjitha lëvizjet shoqërore, në hapësirën e shoqërisë.
1. Ndarja vertikale ose lart-poshtë e shoqërisë
Në ndarjen vertikale ose lart-poshtë, shoqëria ndahet në sundues ose qeverisës, që qëndrojnë lart, deri në majen e piramidës së shoqërisë; dhe në të sunduar ose të qeverisur, që qëndrojnë poshtë, deri në bazën e gjerë të piramidës së shoqërisë.
Në ndarjen vertikale ose lart poshtë, hyjnë në marrëdhënie ndërmjet tyre sunduesit, në njërën anë, dhe të sunduarit, në anën tjetër. Në këtë ndarje, pavarësisht nga qeverisja, e djathtë apo e majtë, ata nuk lëvizin, as e ndërrojnë pozitën e tyre në shoqëri.
Pra, brenda ndarjes vertikale, sunduesit mbeten sundues; dhe të sunduarit mbeten të sunduar, pavarësisht nga qeverisja, qoftë ajo e majtë apo e djathtë. Kjo ndarje, prandaj, quhet edhe ndarje e fortë brenda shoqërisë. (A. Laponece)
Ndarja vertikale ose lart-poshtë e shoqërisë shprehet qartë përmes kategorive themelore të shoqërisë: rangjet shoqërore (rangu i ulët, rangu i lartë), kastat shoqërore (grupe me interesa dhe të drejta të veçanta), shtresat shoqërore (shtresa e ulët, shtresa e mesme dhe shtresa e lartë), klasat shoqërore (klasa e pasur, klasa e mesme dhe klasa e varfër), etj.
2. Orientimi horizontal ose djathtas-majtas brenda shoqërisë
Në orientimin horizontal ose djathtas-majtas brenda shoqërisë, individët, grupet shoqërore dhe lëvizjet shoqërore orientohen, pozicionohen në anën e djathtë, në anën e majtë dhe në qendër të spektrit politik të shoqërisë.
Në orientimin horizontal, vetë sunduesit hyjnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Në këtë orientim, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, hyjnë edhe vetë të sunduarit. Pra, në orientimin horizontal ose majtas-djathtas të shoqërisë, sunduesit dhe të sunduarit, bashkërisht, orientohen, pozicionohen në një anë ose në një krah, në spektrin politik të shoqërisë.
Dallimet ndërmjet vetë sunduesve si dhe ndërmjet vetë të të sunduarve, në disa aspekte janë të qarta, por në shumë aspekte të tjera, ato nuk janë plotësisht as të qarta, as të sakta.
Kjo paqartësi dhe pasaktësi e ka vështirësuar, në masë të konsiderueshme, dallimin e orientimeve horizontale ndërmjet vetë sunduesve, në njërën anë, dhe ndërmjet vetë të të sunduarve, në anën tjetër.
Brenda të dy palëve, sunduesve edhe të të sunduarve, mund të ketë edhe lëvizje dhe ndërrim të pozicionit të tyre horizontal. Orientimi horizontal, prandaj, quhet edhe orientim i butë brenda shoqërisë. (A. Laponece).
Orientimi horizontal ose djathtas-majtas në shoqëri, shprehet qartë përmes kategorive themelore të sferës politike-ideologjike të shoqërisë: e majta, e djathta dhe qendra; pastaj: e djathta e moderuar, e djathta radikale, e majta e moderuar, e majta radikale, qendra e majtë, qendra e djathtë, etj.
Ndarja vertikale e shoqërisë dhe orientimi horizontal i individëve, i grupeve dhe i lëvizjeve shoqërore brenda shoqërisë, ekzistojnë paralelisht dhe pavarësisht nga njëra-tjetra. Ato nuk e cënojnë as e plotësojnë njëra-tjetrën. (Pjesë nga punimi Profilizimi ideologjik i partive politike në Kosovë) VAZHDON