Ndjesë Piktorit dhe gjithë kundërshtarëve të tij!

12:32 | 11 September 2019

Nuk është se jemi popull i vetëm në botë që kemi ngritur në piedestalin e lartë politik dhe shtetdrejtues edhe individë të cilët po i çove në Psikiatri nuk të lejojnë që t’i marrësh e t’i kthesh në shtëpi. Por, jemi ndër popujt e rrallë që duket se e duam politikanin injorant, hajdut e kriminel, sepse besojmë se më të ia del me lehtë se sa me të mençurin, të ndershmin dhe të dinjitetshmin.

‘Shqipëritë’ tona nuk janë vendet e vetme të marra peng nga kriminelët që kontrollojnë politikën dhe nga politikanët që e drejtojnë krimin, sepse të tilla vende ka edhe në Afrikë e Amerikën Latine, por ne jemi ndër të rrallët që kemi filluar të bëhemi të pandjeshëm ndaj fatit tonë të këtillë kolektiv, kështu që qysh në lindje i bëjmë fëmijët tanë gati për ta braktisur vendlindjen, duke u vënë emra që nuk do i identifikojnë se janë shqiptarë. Nuk është se vetëm ne mashtrohemi nga ata që duan të bëhen gjithçka, të cilëve edhe kur u tregon se pulaxhinjtë kanë themeluar federatën e tyre, pyesin pse nuk i kanë lajmëruar e pse nuk i kanë zgjedhur kryetarë të tyre, e nëse ua ofron këtë post, të pyesin të ofenduar se mos vallë të ngjajnë në pulaxhi!

Pra, nuk jemi ne të vetmit që mashtrohemi nga ata që mungesa e fizionomisë përcaktuese i bën të pranueshëm për të gjithë, por kemi filluar t’i ngjajmë popullit që i parapëlqen gënjeshtarët që duan të bëhen çdo gjë, vetëm pse nuk vlejnë asgjë, se i duam batutaxhinjtë që mes këngëtarëve ndjehen kryekëngëtar, mes palaçove ndjehen kryepalaço, mes shkrimtarëve ndjehen si të ishin nobelistë të letërsisë… dhe mes budallenjve duan të jenë kryebudalla. Jo vetëm te ne, por në shume vende të botës është dëshmuar se e pësojnë popujt që fatin e vet e lënë në duart e njerëzve jomirënjohës dhe të parealizuar në profesionet e tyre, sepse te tillët janë të frustruar, ata urrejnë dhe shkatërrojnë çdo individ te suksesshëm, ata i asgjësojnë dhe i urrejnë miqtë e vet, të cilëve dikur ua kanë lëpirë këmbët.

Dhe, jo njëherë ka ndodhur qe edhe njerëz të mençur e të aftë qëllimisht të zgjedhin e mbështesin të paaftin, vetëm pse kanë menduar se ashtu do e shmangin përçarjen brenda vetvetes dhe se të gjithë së bashku do e kontrollojnë të ‘retarduarin’. Pra, jo rrallëherë ka ndodhur që të mençurit të hipin në kalin e lavdisë avdallin, duke u sjellë ndaj tij si ndaj kalorësit pa këmbë, i cili gjithmonë do ketë nevojën e tyre dhe që nuk do mund të kalërojë pa e mbajtur dhe pa ia drejtuar kalin ata që e kanë zgjedhur.

Shikuar nga ky këndvështrim, autori i këtij teksti ndjehet i përbuzur kur e sheh se bashkëkombësit e tij në Maqedoni janë në duart e një kryeinjoranti politik, kryetarit të BDI-së i cili atyre ua shan ‘shtatëqind nënat’ duke mos i lënë anash as baballarët e tyre të ndjerë.

Dhe, ky tekstshkrues ndjehet mirë që nuk i besoi kundërshtarët e Piktorit që e tepronin e thoshin se ai është rast për në Psikiatri, por ndjehet i gabuar pse nuk i përfilli ata kur i thoshin se gjatë këtyre dy dekadave sa është në pushtet, ai u vëllazërua me oligarkët dhe kriminelët, se është jomirënjohës dhe i dështuar në profesionin e tij, se ka ambicie që të jetë edhe ‘kryeprostituta’ e shtëpisë publike, e për çka ndjen nevojë t’u kërkojë ndjesë pse u thoshte se e kanë gabim.

Ndërkohë, dua t’i kërkojë ndjesë publike edhe Piktorit të ‘Rilindjes’, sepse arsyeja pse me vogëlsinë time e përkrahja të vijë në krye të shtetit, ishte ‘qëllimkeqe’. Në të vërtetë, duke e konsideruar atë si kalorës ‘pa këmbë’ (lexo: të paaftë politikisht t’i imponohet partisë që përfaqësonte), besoja se me të vendi do kishte një kryeministër që fatin e vet politik nuk do ta barazonte me atë të shtetit, një kryeministër të cilin do ta kontrollonte partia e Parlamenti, e jo ai partinë e Kuvendin, e që më në fund Shqipëria të nisej rrugës që të kishte institucione e parti që do ‘prodhonin’ drejtues, e jo drejtues që do ishin pronarë të institucioneve shtetërore dhe të partive.

Por, sidoqoftë, rasti i Piktorit na rikujton se të zgjedhurit nuk e tregojnë vetëm fytyrën e vet, por edhe atë të përkrahësve të tij. Andaj pse Piktori e ndjen shtetin si tendë cirku ku ai e zbavit vetveten, e neve si publik të mahnitur nga akrobacionet e tij, nuk është fajtor vetëm ai, por të gjithë ata që e përkrahin. Pastaj ‘cirku’ politik që ka pllakosur Shqipërinë tregon atë që dihet: diktatorët dhe regjimet autokrate nuk i rrëzojnë kundërshtarët e tyre politikë, por ‘trimat’ e guximshëm brenda ‘oborrit mbretëror’.

Andaj, Piktori mbeti mbi kalë jo pse opozita është e dobët, por pse ‘ujqit’ e vjetër të PS-së përfunduan si heronj mbi gomarë. Pra, Piktori e mori në duar tërë PS-në pse drejtuesit e saj nisi t’i mbulojë llumi i mendësisë ‘Rilindëse’, mendësi që mbështetet mbi parimin se nuk është me rëndësi fati i Shqipërisë, por grazhdi i pushtetit nga ushqehemi dhe majmemi.

Komento: