BETEJA PËR PËRDORIMIN ZYRTR TË FLAMURIT KOMBËTAR.
Kanë kaluar 19 vjet nga dita e betimit të asambleistëve të parë komunalë, në Kosovën e pasluftës. Ajo e shtunë, më 11.11.2000, e caktuar për betimin e të gjithë këshillëtarëve komunalë, anembanë Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e para komunale (28.10. 2000), mund të quhet ditë e betejës për përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar.
PDK-ja kishte vendosur paraprakisht, në nivel qendror,që këshilltarët komunalë të saj të mos betoheshin pa flamurin kombëtar; LDK-ja ishte zënë e papërgatitur për këtë rast, ose kishte dashur që kjo çështje të kalonte në heshtje; këshilltarët komunalë të AAK-së ishin lënë të lirë të vendosnin vetë, pavarësisht nga qendra; administratorët ndërkombëtarë, të nivelit komunalë, ndërkaq, ishin të interesuar që mbledhja e parë e asambleve komunale të ishte e suksesshme, pavarësisht nga (mos)prania e flamurit kombëtar të shqiptarëve, në sallën ku do të betoheshin asambleistët e parë komunalë.
Në sallat e përgatitura mirë nga ndërkombëtarët, dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të KFOR-it, MME-së, OSBE-së e të zyrtarëve të UNMIK-ut, për mbledhjen e parë të asambleve komunale, ishte vendosur vetëm flamuri i OKB-së. Kjo tregonte se qëndrimi fillestar i administratës ndërkombëtare ishte për mbajtjen e mbledhjeve të asambleve komunale nën flamurin e OKB-së, pra, pa flamurë të tjerë.
Kur, pastaj, asambleistët komunalë të PDK-së, të përkrahur edhe nga asambleistët e AAK-së, insistuan që betimi të bëhej para flamurit kombëtar, administratorët e UNMIK-ut u munduan të siguronin shumicën e nevojshme që do të vendoste në favor të qëndrimit të tyre dhe, aty ku ata e siguruan atë shumicë, betimi u bë pa flamurin e shqiptarëve, por dhe pa praninë në sallë të asambleistëve të PDK-së e të AAK-së, që e kishin bojkotuar betimin pa flamurin shqiptar, ndërsa në komunat ku ishin bashkë këshilltarët e të gjitha partive politike, – betimi u bë para flamurit kombëtar të shqiptarëve.
Në diskutimet për (mos)praninë e flamurit të shqiptarëve, qëndrimin e tyre për betimin e asambleistëve vetëm para flamurit të OKB-së, zyrtarët ndërkombëtarë e argumentonin me një vendim të Kushnerit, kryeadministrator i Kosovës në atë kohë, dhe me faktin që Kosova ishte nën administrimin e OKB-së;
Shqiptarët, ndërkaq, aty ku ishin bashkë, insistimin e tyre për betimin para flamurit kombëtar e argumentonin me rëndësinë e me domethënien e flamurit kombëtar për të gjithë shqiptarët.
Pas arritjes së marrëveshjes për betimin e asambleistëve para flamurit kombëtar shqiptar, pyetja : “Ku do të vendoset flamuri ynë”?, si duket, ishte e papritur dhe i hutoi asambleistët, në disa komuna. Administratori komunal, në Lipjan, tha se nuk kishte vend në mur, ku mund të vendosej flamuri; një varianti tjetër ku mund të vendosej flamuri ishte një tavolinë e madhe, e vendosur në ballë të sallës së kuvendit, para asambleistëve, por mbi të ishin të vendosura shkresat e administratorit, që i duheshin atë ditë.
Adminstratori, pastaj, i pakënaqur me konsensusin e asambleistëve shqiptarë, propozoi me ironi që flamurin ta mbante në dorë një asambleist i PDK-së, partia që kishte kërkuar betimin para flamurit shqiptar, por me këtë propozim nuk u pajtua grupi asambleist i LDK-së, me arsyetimin se edhe LDK-ja kishte hise në flamurin kombëtar.
Pas këtij mospajtimi, administratori e aprovoi kërkesën e LDK-së, dhe e vazhdoi ironinë me propozimin tjetër të tij, – flamuri të mbahej nga dy asambleistë dhe njëri të jetë nga PDK-ja e tjetri nga LDK-ja.
Në fund fare, u vendos me konsensus që flamuri të shtrihej mbi një pjesë të tavolinës dhe para tij të bëhej betimi i asambleistëve të parë komunalë në Kosovën e pasluftës. Ashtu edhe u bë.