Në fund të javës fillon vaksinimi në komuna të tjera – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Në fund të javës fillon vaksinimi në komuna të tjera

18:23 | 31 Mars 2021

Vaksinimi në komuna të tjera fillon në fund të javës, mbesin në fuqi masat e njëjta anti-COVID.

Tash e dy ditë në Kosovë ka filluar vaksinimi i stafit shëndetësor dhe personave të moshuar, në dy qendra, në palestrën sportive “1 Tetori” dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Kurse vaksinimi i stafit shëndetësor nëpër komuna të tjera të Kosovës, me kujdesin dytësor shëndetësor pritet të fillojë në fund të kësaj jave.

Kështu kanë thënë në një përgjigje për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë.

Të pyetur nëse me rritjen e rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë do të ashpërsohen masat antiCOVID, ata kanë thënë se masat mbesin ato që janë deri më tani.

“Sa u përket masave, janë në fuqi ato që tashmë i njohin të gjithë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së, teksa nuk bëhet e ditur nëse së shpejti do të mbahet ndonjë takim për vlerësimin e situatës epidemiologjike.

Vaksinimi gjatë këtyre dy ditëve është bërë vetëm në kryeqytet, ndërkaq nëpër komuna të tjera pritet të fillojë në fundjavë.

“Vaksinimi në qytetet e tjera, me kujdesin dytësor, pritet të nis kah fundi i javës”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndërkaq, situata me coronavirusin në Klinikën Infektive sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Izet Sadiku është shumë e rëndë.

Sadiku ka thënë sot se gjendja e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është mjaft e rënduar.

Sadiku foli edhe me situatën epidemiologjike në vend, ku kërkoi nga qeveria e Kosovës një analizë të kësaj situatë dhe respektim më të ashpër të masave por edhe nëse është nevoja shtim të masave të reja me qëllim të parandalohet përhapja tutje e infeksionit COVID-19 në vendin tonë.

Komento: