
Data kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do ta votojë propozim-rezolutën për shpalljen e 11 korrikut “Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Shënimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, nuk dihet, por procedurat dihen.
Rezoluta u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ashtu si edhe të gjykatave vendase.
Për gjenocidin mbi së paku 8.372 boshnjakë dhe krime të tjera lufte në rajonin e Srebrenicës të Bosnje e Hercegovinës, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.
Kush e propozoi rezolutën dhe kush i mbështeti?
Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e rezolutës.
Më pas, 32 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara u bënë “bashkësponsorizuese”, si vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të OKB-së.
Nga vendet e rajonit, bashkësponsorizuese janë: Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.
Nga vendet evropiane, ato janë: Austria, Belgjika, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Irlanda, Italia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Polonia, Suedia, Turqia dhe Britania e Madhe.
Bashkësponsorizuese janë, gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Zelanda e Re, ashtu si edhe Bangladeshi, Kili, Jordania, Malajzia dhe Vanuatu.
Propozim-rezolutën e mbështeti edhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila përbëhet nga 57 vende.
A mund të pengohet miratimi i rezolutës?
Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar – mund të vënë veto ndaj propozim-rezolutës, por vetëm në atë organ.
Mundësia e vetos nuk ekziston në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sponsorizuesit kryesorë – në këtë rast Gjermania dhe Ruanda – mund ta tërheqin propozim-rezolutën në çdo kohë.
Sipas rregullave të OKB-së, një projekt-rezolutë e tërhequr mund të nxirret sërish, në çdo kohë, nga një shtet tjetër anëtar i OKB-së.
Sa vota nevojiten për miratimin e rezolutës?
Vendimet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së mund të merren me konsensus, pra pa u votuar, sipas rregullores.
Konsensusi arrihet kur të gjitha shtetet anëtare bien dakord ta miratojnë tekstin e projekt-rezolutës pa votim.
Deri më tani, sipas të dhënave të OKB-së, rreth 80 për qind e vendimeve janë miratuar me konsensus. Nëse një vend kundërshton, atëherë shkohet në votim.
Kështu, për shembull, më 10 maj të këtij viti u votua rezoluta për kandidaturën palestineze për anëtarësim në OKB.
Më 23 shkurt të vitit të kaluar, ndërkaq, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të re që kërkonte tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.
Meqenëse Rusia dhe Serbia e kundërshtojnë miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë dhe pretendojnë se nuk janë të vetmet në këtë qëndrim, ajo do të duhet të votohet.
Si në çdo parlament, votimi bëhet me ngritjen e dorës ose në mënyrë elektronike, ndërsa deklaratat mund të jenë publike ose sekrete. Nëse në një propozim paraqitet një amendament, amendamenti votohet i pari.
Nëse rezoluta për Srebrenicën nuk është në rend dite si një “çështje e rëndësishme”, do të ishte e nevojshme një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të OKB-së që “do të ishin të pranishëm dhe do të votonin”. Tash për tash nuk dihet se si do të votohet.
Shumica prej dy të tretave të anëtarëve të OKB-së “që është e pranishme në seancë dhe voton”, kërkohet kur trajtohen “çështje të rëndësishme”.
Mes tyre, ndër të tjera, bën pjesë zgjedhja e dhjetë anëtarëve jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – të cilët, ndryshe nga pesë anëtarët e përhershëm, nuk e kanë të drejtën e vetos – pastaj zgjedhja e anëtarëve të disa këshillave të OKB-së, votimi i statuteve, pranimi i anëtarëve të rinj, votimi për pezullimin e anëtarësisë së vendeve apo çështjet buxhetore.
Një “çështje e rëndësishme” që kërkon dy të tretat e votave konsiderohet edhe votimi për një “vendim në sferën e paqes dhe sigurisë”.
Aktualisht, nuk dihet nëse propozim-rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë do të cilësohet si e tillë./REL