Në vendin tonë pritet të shtohet edhe një ditë pushimi

17:59 | 29 Shtator 2020

Pritet të shtohet edhe një ditë pushimi në Kosovë.

Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, ka përkrahur sot iniciativën e deputetit Elbert Krasniqi që 24 qershori të përfshihet si dita e egjiptianëve në Ligjin për Festa Zyrtare.

Në këtë mbledhje të komisionit ku është diskutuar plotësim ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare, është vendosur që nisma e deputetit Krasniqi të dërgohet për votim në seancë.

Deputeti Elbert Krasniqi, në arsyetimin e tij tha se kanë kërkuar që në Ligjin për Festa Zyrtare të përfshihet data 24 qershor si dita nacionale e egjiptianëve të Kosovës.

“Ne kemi filluar një iniciativë ligjore për plotësim ndryshimin e Ligjit për Festat, në këtë ligj mungon dita e egjiptianëve të Kosovës, ne kemi propozuar që data 24 qershor të njihet si ditë nacionale e egjiptianeve në Kosovë dhe kemi bërë një propozim për ndryshim të fjalisë së fundit ku konsiderojmë që është jo kushtetuese në fund të fundit dhe jo demokratike që dikush tjetër të vendos për të tjerët, komuniteti serb të vendos për festat tjera zyrtare. Besoj që është jo kushtetuese kjo”, tha ai.

Kryetari i këtij komisionit, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që në kuadër të plotësim ndryshimit të Ligjit për Festa Zyrtare, përveç kërkesës së deputetit Elbert Krasniqi, të përfshihen edhe propozimet e Qeverisë së Kosovës në kuadër të plotësim ndryshimit të këtij ligji.

Ai tha se ndër rekomandimet e Qeverisë është edhe neni 4 që të riformulohet se kur festat zyrtare bien në ditët e vikendit të mos pushohet në ditët pasuese të punës.

Mirëpo, kërkesa e tij nuk është përkrahur nga deputetët e këtij komisioni, të cilët kanë kërkuar që në seancë të dërgohet si nismë e veçantë vetëm ajo për caktimin e datës 24 qershor si ditë e komunitetit egjiptian.

Komento: