Në vitin 2015 BE dhe SHBA e kishin bërë të qartë se Demarkacioni ishte kusht për vizat

20:00 | 23 Qershor 2022

Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka akuzuar sot Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, se janë pikërisht ata që kanë pamundësuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke penguar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Faktet dhe deklaratat zyrtare të së kaluarës, nga viti 2015, të ripërsëritura në vitin 2016 dhe 2017 tregojnë se Mustafa ka të drejtë në pohimet e tij. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin bërë të qartë në vitin 2015, se demarkacioni ishte kusht për heqjen e vizave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pas fjalimit të sotëm të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku kërkoi liberalizimin e vizave për vendin, ka reaguar dikur Shefi i saj dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Mustafa akuzoi sot Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti, se janë pikërisht ata që kanë penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, duke penguar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Osmani në atë kohë ishte deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe i kishte dalë kundër Mustafës për punën e demarkacionit.

Përveç Osmanit, ishin bërë bashkë edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilët kundërshtonin ashpër këtë marrëveshje.

“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut!

Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, shkroi Mustafa.

Se demarkacioni ishte kusht për liberalizimin e vizave e kishin bërë të qartë në vitin 2015 edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, thuhej se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ishte kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian

“Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar shënimin e hollësishëm të vijës kufitare të kufirit Kosovë – Mal i Zi të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Ne e kuptojmë se baza për punën e Komisionit për shënimin e kufirit ishte Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974, e cila e përcaktoi kufirin e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, të cilat janë ndarë në zona kadastrale. Kjo bazë për shënimin e kufirit është përdorur edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në vitin 2007 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të vitit 2008.

Pas rishikimit të hartave nga vitet 1940 e deri te të tashmet, duke përfshirë edhe atë të përdorura nga Komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri i saposhënuar është në përputhje me kufirin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë të cilët i kemi pasqyruar prej vitit 2008 përputhen në hollësi me kufirin e propozuar të vitit 2015. Ne vëmë në pah se përmbyllja e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 21 dhjetor të vitit 2015.

Këtë e kishte bërë të qartë edhe ish-Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, e cila kishte deklaruar se Kosova duhet të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që të hapet rruga e liberalizimit të vizave.

“I ftoj deputetët dhe i lus ata që të mos e stopojnë procesin e liberalizimit të vizave për interesa partiake. Duhet bërë çfarë është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani çështja është në duart tuaja”, theksonte Fajon.

Fajon thoshte se pas bisedave të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ishte vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën.

“Në raportin e fundit të Komisionit Evropian është thënë shumë qartë se Parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, përpara se të bëhet liberalizimi i vizave. Në ditët e fundit kam pasur një numër diskutimesh me Komisionin Evropian dhe institucionet e tjera dhe do të inkurajoja që ratifikimi të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur, sepse në të kundërtën ne nuk do të mund të procedojmë tutje, madje as edhe me votimin në Parlamentin Evropian”.

“Tash për tash i kemi katër shtete që po presin për liberalizim të vizave dhe unë do të doja që Kosova të jetë në mesin e të parave. Raporti është në Parlament, por siç e thash, ratifikimi i marrëveshjes së kufirit, pas gjithë bisedave që kam pasur në ditët e kaluara, është një kusht absolut dhe pres që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaronte Fajon më 10 Qershor të vitit 2016.

Edhe Shefja e atëhershme e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova kishte insistuar që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura, ku bëjnë pjesë demarkacioni dhe lufta kundër korrupsionit për liberalizim.

Madje, thoshte se janë politikanët ata që e mbajnë çelësin për liberalizim”.

“Ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret. Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim, ata duhet të miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit”, kishte thënë Apostolova, më 20 shkurt të vtitit 2017.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi më 21 mars të vitit 2018, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte tentuar që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës.

Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur ishte provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, kishte sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Komento: