Në vjeshtë, paralajmërohet rritja e numrit të të vdekurve nga koronavirusi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Në vjeshtë, paralajmërohet rritja e numrit të të vdekurve nga koronavirusi

11:47 | 15 Tetor 2020

Paralajmërohet rritja e numrit të të vdekurve nga COVID-19 në vjeshtë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rritja e numrit të të infektuarve në Evropë mund të pasohet me një rritje të numrit të vdekjeve.

Vendet evropiane po vendosin masa shtesë të kufizimeve në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndërsa deri tani më shumë se 38 milionë njerëz janë infektuar në të gjithë botën dhe gati 1.1 milion kanë vdekur.

Çdo ditë, në Evropë po infektohen rreth 100 mijë persona. Italia, Republika Çeke, Zvicra dhe Rusia, kanë shënuar një numër rekord të të infektuarve gjatë javëve të fundit.

Numri i vdekjeve në nivel global aktualisht ka arritur në mbi 5 mijë në ditë. Por, njësitë e kujdesit intensiv po mbushen, duke rrezikuar të mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor. Në disa vende, spitalet veçse janë të mbingarkuara dhe ka mungesë të stafit mjekësor, paralajmërojnë ekspertët.

Zyrtari i lartë i OBSH-së, Soumya Swaminathan, dekurajoi idenë se “imuniteti i tufës” (kur mjaft njerëz krijojnë imunitet për të ngadalësuar përhapjen e një virusi) ishte i arritshëm para se vaksinimi të jetë në dispozicion na masë të gjerë.

“Njerëzit flasin për imunitetin e tufës. Ne duhet të flasim për këtë vetëm në kontekstin e një vaksine. Ju duhet të vaksinoni të paktën 70 për qind të njerëzve, për të ndalur vërtet transmetimin”, tha Swaminathan.

Dy kompanitë që po merren me zbulimin e vaksinës në Perëndim, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca në SHBA, kanë pezulluar provat për arsye sigurie.

Shtetet evropiane dhe qeveritë lokale po bëjnë përpjekje për të ulur shkallën e përhapjes së virusit që filloi të rritet në fund të verës.

Në Francë, qeveria shpalli një gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik për herë të parë që nga korriku.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se njerëzit duhet të qëndrojnë brenda nga ora 21:00 deri në orën 06:00 në Paris dhe në tetë qytete të tjera, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në këtë vend.

Ora policore do të hyjë në fuqi nga e shtuna dhe do të zgjasë për së paku katër javë, tha Macron në një fjalim televiziv të mërkurën.

“Ne duhet të veprojmë. Ne duhet të frenojmë përhapjen e virusit”, tha Macron.

Komento: