
Pas një rruge të gjatë e me shumë sakrifica, shteti i Kosovës, arriti që në viti 2008 të sjellë Pavarësinë.
I gjithë populli ishte i entuziazmuar nga kjo ditë madhështore e që do mbetej përgjithmonë në historinë dhe kujtesën e secilit.
Krerë të lartë institucional, ndërkombëtar e shumë figura politike morën pjesë në shpalljen e Kosovës, shtet të pavarur e demokratik.
E disa prej tyre patën fatin të nënshkruajnë aktin më të lartë të një shteti, Deklaratën e Pavarësisë.
Në një intervistë për Front Online, ish-ministri, profesori universitar dhe njëherit nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, Arsim Bajrami ka folur për ditën e 17 Shkurtit të 2008-ës.
Bajrami ka thënë se me nënshkrimin e kësaj deklarate u shënua lindja e një shteti të ri, për të cilin thotë se kemi sakrifikuar shumë.
“Padyshim se ky moment ka qenë historik sepse shënoj lindjen e shtetit të ri të Republikës së Kosovës, për të cilën kauzë me dekada e vite, i kemi sakrifikuar me qindra e mijëra veprimtarë të çështjes politike dhe se më në fund, përpjeka e tyre shekullore është kurorëzuar më 17 Shkurt 2008, ku edhe u miratua Deklarata e Pavarësisë, me çka edhe filloj një epokë e re, një epokë ku u krijua shteti i dytë shqiptar në Ballkan”, u shpreh ai për Front Online.
Sipas Bajramit, kjo ditë i dha fund padrejtësive që iu kishin bërë Kosovës për dekada me radhë.
“Shqiptarët u bën zot të tokës së tyre dhe më në fund i u dha fund padrejtësive që ishin bërë ndaj Kosovës që nga konferenca e ambasadorëve në Londër më 1913. Pra ishte një kurorëzim i përpjekjeve shekullore e shumë gjeneratave për të arritur deri te kjo ditë e shenjtë, e cila padyshim pas 28 nëntorit të 1912, paraqet datën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar”, ka thënë profesori Arsim Bajrami.

Bajrami: Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, nder dhe fat për mua dhe familjen time
Profesor i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami e quan nder, faktin që përpos që ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, ishte edhe njëri nga hartuesit e saj.
Ai për Front Online ka thënë se e konsideron veten me fat që e firmosi këtë deklaratë në emër të qytetarëve të Kosovës.
“Një moment i paharruar që do ta trashëgoj edhe tek fëmijët e nipat e mi, do të jetë pikërisht fakti që unë isha një nga nënshkruesit e Deklaratës, madje edhe njëri nga hartuesit. Për mua dhe familjen time ky është një nder i jashtëzakonshëm dhe mund të themi se jam me fat, që kam jetuar në atë kohë dhe kam pasur mundësi në emër të qytetarëve të Kosovës të firmosi Deklaratën e Pavarësisë”, ka deklaruar profesori.
Bajrami, punën si ministër e quan mision të suksesshëm, pasi thotë se kjo përgjegjësi për të ishte e veçantë.
“Unë jam i lidhur emocionalisht me këtë datë sepse e quaj të suksesshëm edhe misionin tim si ministër i Administratës Publike. Si një nga protagonistët e shtet ndërtimit, nga vitet e 90 e këndej kam pasur përgjegjësi në historitë e shkruara në të gjitha kushtetutat e vendit tim, nga ajo e Kaçanikut, pastaj kornizën kushtetuese e deri te Kushtetuta aktuale , ka pohuar ai.
Ish-deputeti dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, Arsim Bajrami ka treguar për ecurinë e punës para 17 Shkurtit të 2008-së dhe koordinimin që kishin me ndërkombëtarët.
“Lindja e shtetit të Kosovës me Deklaratën e Pavarësisë ka qenë një moment historik jo vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare e cila bashkë me ne u koordinuan plotësisht për shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Para se ta shpallnim Pavarësinë, kisha për çdo ditë takime me Ambasadën Amerikane. Takim minutë pas minuti, kështu që mund të themi, ato kohë kanë qenë kohë të arta” ka vlerësuar Bajrami.
Bajrami ka treguar edhe për takimet që ai organizon për çdo vit në nderë të kësaj feste.
“Unë çdo vit e kujtoj këtë datë me studentet e mi, dhe gjithmonë organizoj një ditë të veçantë me studentet e së drejtës kushtetuese të vitit të dytë. Njëjtë si viteve tjera edhe me këtë 17 Shkurt unë do ti bëj bashkë studentet e Tiranës dhe të Prishtinës të cilët do të vizitojnë kuvendin dhe sallën ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë, dhe do ti evokojmë kujtimet e asaj dite të shenjtë”, u shpreh ai për Front Online.
Arsim Bajrami: Pavarësisht se ishim viktimë e gjenocidit serbë, ne nuk kultivuam ndjenjën e hakmarrjes
Profesori universitar, Arsim Bajrami gjatë intervistës për portalin Front Online ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është mirëpritur nga e gjithë bota demokratike, pasi sipas tij, vendi ynë i tregojë botës se pas gjenocidit serbë arritëm ta krijojmë një shtet demokratik, pa ndjenja të hakmarrjes.
“Lindja e shtetit të Kosovës ka qenë e mirëpritur nga e gjithë bota demokratike sepse nga një komb i cili iu nënshtrua një gjenocidi klasik të Serbisë, u shndërruam në një shtet, do të thoja mjaftë simpatik sepse i treguam botës që ne mund të ringritemi, pas gjenocidit mund të krijojmë një shtet demokratik dhe absolutisht nuk do të kultivojmë kurrfarë ndjenje të hakmarrjes ndaj askujt, pa marr parasysh se ishim viktimë e gjenocidit”, ka theksuar Bajrami.
Profesori Bajrami ka thënë se Kosova ka kaluar në batica dhe zbatica të ndryshme për shtet ndërtimin e saj.
“Natyrisht nëse Pavarësia ka qenë një moment historik, atëherë shtet ndërtimi ka kaluar nëpër shumë probleme dhe sfida. Pra jo gjithçka ka shkuar sipas asaj që ne e shkruam në Deklaratën e Pavarësisë, sepse procesi i shtet ndërtimit ka pasur batica dhe zbatica, ka pasur vonesa dhe fatkeqësisht akoma nuk është i përmbyllur”, ka potencuar ai.
Madje Bajrami ka theksuar se procesi i shtet ndërtimi nuk ka shkuar ashtu siç ishin pritjet e popullit të Kosovës sepse sipas tij, u krijuan kriza politike në vend.
“Me 9 Prill miratuam Kushtetutën, themeluam institucionet. Procesi i shtet ndërtimi nuk shkoj sipas pritjeve të popullit dhe bashkësisë ndërkombëtare sepse ne krijuam kriza politike, mjaftë vonesa, nuk ishim të aftë që ta përmbyllim procesin e shtet ndërtimit, për më shumë lemë hapësirë edhe Serbisë që të bëj desruksion brenda Republikës së Kosovës, madje edhe ndërkombëtarët i kontribuuan kësaj, duke hapur një proces të dialogut me Serbinë në vitin 2011”, u shpreh Bajrami.

Arsim Bajrami me kritika të ashpra, përmend Asociacionin, Gjykatën Speciale dhe përçarjet ndërmjet partive politike
Tek çështja e Dialogut, Arsim Bajrami ka përmendur edhe temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka potencuar se me këtë çështje, Serbia ka synim, krijimin e një etnitetit territorial serb në Kosovë.
“Dialogu po hyn në vitin e 13-të dhe praktikisht është akoma i hapur dhe Kosova po ballafaqohet tani me dy sfida kryesore. 16 vjet pas Pavarësisë, sfida e parë është pikërisht, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që në fakt është një tendencë apo një përpjekje e Serbisë për ta instaluar një etnitet territorial serb në Kosovë, përmes bashkësisë së komunave serbe”, ka deklaruar Bajrami, teksa ka shtuar se problem tjetër për Kosovën është edhe Gjykata Speciale.
“Problemi i dytë është veprimi i Gjykatës Speciale, përkatësisht dhomave të specializuara që aktualisht po zhvillojnë një gjykim ndaj udhëheqësve të UÇK-së dhe udhëheqësve shtetëror, aktgjykim ky i cili e ka tendencën që të denigroj pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe shtetësisë së Kosovës. Pra ka sfida serioze sepse Kosova akoma nuk ka arritur ta përmbyll plotësisht procesin e shtet ndërtimit”, ka vijuar tutje Bajrami.
Ai ka folur edhe për politikën në vend, ku ka kritikuar të gjithë për përçarje.
Sipas Bajramit, partitë politike nuk kanë bërë dallimin mes interesave partiak nga ato shtetërore.
“Edhe pse kemi qenë të bashkuar dhe unik në momentin kur është krijuar dhe është shpallur Pavarësia, ne kemi ditur të përçahemi në partitë politike dhe këto partitë tona politike nuk kanë ditur ta bëjnë dallimin mes interesave partiak apo luftës partiake me interesa shtetërore. Shpesh herë me veprimet e tyre të pakoordinuara apo edhe me ambiciet për të marr pushtet kanë dëmtuar shtetin dhe kanë vonuar procesin e tranzicionit”, ka thënë Bajrami.
Ish-deputetja Maliqi-Zunçe: Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, moment i veçantë e historik
Ish- deputetja nga radhët e LDK-së, nënshkruesja e Deklaratës së Pavarësisë, Drita Maliqi-Zunçe është deklaruar për Front Online lidhur me datën historike të shtetit të Kosovës, 17 Shkurtin.
Maliqi-Zunçe ka thënë se në ditën e Pavarësisë së Kosovës, kishte emocione të veçanta, duke shtuar se edhe gjyshi i saj ishe nënshkrues në lidhjen e dytë të Prizrenit.
“Unë jam nënshkruese e Deklaratë së Pavarësisë së Kosovës, por nënshkrues ka qenë edhe gjyshi im Sherif Maliqi Malisheva, në lidhjen e dytë të Prizrenit. Kjo për mua është kujtimi më i mirë që kam”, ka thënë Maliqi-Zunçe.
Ajo ka treguar se atë ditë gjithçka kishte shkuar sipas planit.
“Dita e 17 Shkurtit të 2008-së ka shkuar ashtu siç e kemi përgatitur. Këtë ngjarje të madhe për Kosovën e kam në mendje si një nga ngjarjet më të veçanta. I veçantë ishte edhe momenti kur e kam marr lapsin ta nënshkruaj deklaratën”, është shprehur ish deputetja në Kuvendin e Kosovës, Drita Maliqi-Zunçe.
Maliqi-Zunçe ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, e cila ka thënë se i vjen keq që nuk janë në mesin tonë në ditët si kjo.
“Për festën e Pavarësisë më vjen keq, jo vetëm për ata që janë në Hagë, por edhe për ish- luftëtarët që kanë dhënë jetën në vija të frontit e që nuk janë më në mesin tone”, ka rrëfyer ajo.
Sipas saj, Kosova po ecën në hapa të ngadalshëm, teksa shton se në demokraci është mirë të ndërrohen pushtetet.
“Shteti i Kosovës ka arritur Pavarësinë por po ecë në hapa shumë të ngadalshëm. Është shumë mirë që është në pushtet kjo Qeveri, sepse në demokraci duhet të ndërrohen pushtetarët. Dhe në fund, dua të them se nuk jam e kënaqur ngase pas gjithë vuajtjeve shekullore, ende nuk e kemi arritur amanetin e të parëve tanë”, ka deklaruar Maliqi-Zunçe.
Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta. Të pranishëm në seancë ishin 109 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë ishin, ish presidenti Fatmir Sejdiu, ish kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish kryeministri i vendit, Hashim Thaçi./Front Online/

