Nesër zyrtarizohet kandidatura e Lutfi Hazirit për kryetar komune

22:00 | 16 Korrik 2021

Ka filluar Konventa dy-ditore e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, që është përgatitore për zgjedhjet e 17 tetorit, me pjesëmarrje të delegatëve, kryesisë, kryetarëve të nëndegëve, Forumit të Rinisë, Forumit të Gruas e Komisioneve e Zyrave profesionale.

Në komunikatën e Degës së LDK-së, thuhet se Konventa e sotme pati karakterin e punës në grupe të Zyrave e Komisioneve profesionale të Degës.

Nënkryetari i parë i LDK-së në nivel qendror, njëherësh kryetar i Degës dhe i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi e shpalli të hapur Konventën, tha se ndjehet krenar me përbërjen e Komisioneve, duke thënë se janë profesionistët më të mirë të fushave dhe njerëz të dëshmuar.

Gjatë ditës së sotme, është punuar intensivisht edhe në përgatitjen e programit qeverisës Gjilani 2021-2025.

Ndryshe, Konventa kulmon të shtunën, kur me unanimitet të plotë të strukturave të Degës së LDK-së në Gjilan do të zyrtarizohet kandidati për Kryetar të Komunës.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Lutfi Haziri do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës edhe në zgjedhjet e 17 tetorit.

Komento: