Nga Janari, 21 raste me ‘Kollën e mirë’ në Kosovë, më të prekurit fëmijët dhe adoleshentët

09:03 | 25 Prill 2024
nga-janari,-21-raste-me-‘kollen-e-mire’-ne-kosove,-me-te-prekurit-femijet-dhe-adoleshentet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës njofton për Front Online se janë regjistruar 21 raste me Pertusis apo ndryshe siç njihet si ‘Kolla e mirë’ gjatë vitit 2024.

 

Pertitus është një sëmundje ngjitëse që i prek të gjitha moshat, por më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën një vjeçare.

Gjatë vitit 2024, IKSHPK ka regjistruar 21 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me vitet paraprake. Pertusis që ndryshe njihet si ‘Kolla e mirë’ është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella Pertusis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Front Online.

IKSHPK tha se kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën njëvjeçare.

“Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar. Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë”,
njofton instituti për Front Online.

“Kolla e mirë”/ Komplikimet më të shpeshta janë tek fëmijët e pavaksinuar

Sipas IKShPK-së, komplikimet më të shpeshta prej Pertusis-it, sidomos te fëmijët e pavaksinuar, janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet etj.

“ Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat të cilat nuk e kanë ende kohën e marrjes së dozës së parë (foshnjat prej 0-2 muaj), të cilat duhet të mbrohen nga kontaktet me persona të tjerë (nga moshat më të rritura), që mund të jenë bartës të infeksionit pavarësisht nëse kanë shenja apo jo. Mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të foshnjave nga mosha 2 muajshe kur jepet doza e parë kundër Pertusis”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Front Online.

 

 

Ndryshe nga sëmundjet e tjera si varicela, fruthi, etj., Pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose vaksinimit bien me kalimin e kohës.

 

 

 

 

IKSHPK apelon prindërit për vaksinim të fëmijëve

 

IKSHPK apelon prindërit që të vaksinojnë fëmijët pasi çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni.

“IKSHPK u rikujton prindërve në vazhdimësi se çdo dozë e vaksinës ka rëndësi, sepse e rrit imunitetin dhe i mbron fëmijët nga infeksioni dhe komplikimet e mundshme, prandaj u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen me shumë kujdes Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar, sepse kjo është preventiva me e mire”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.


Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe.

“Pertusis nuk është një sëmundje e re, ekziston që shumë vjet, prandaj edhe vaksina kundër saj është e përfshirë në Kalendarin e vaksinimit dhe me lindjen e fëmijëve, prindërit informohen për këtë sëmundje dhe për vaksinimin që duhet bërë”.

 

IKSHPK ne vazhdimësi i informon qytetaret përmes thirrjeve publike dhe aktiviteteve për rëndësinë e mbrojtjes nga Pertusis dhe vaksinimin si mbrojtjen më të mirë.

 

“Gjithashtu, bën mbikëqyrjen e vazhdueshme aktive të situatës epidemiologjike, heton dhe hulumton rastet e mundshme të Pertusis, gjurmon kontaktet e tyre, i raporton ato, këmbën informacionet me shërbimet shëndetësore për të dhënë udhëzime adekuate rreth sëmundjes dhe bën mbikëqyrjen e zbatimit të Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku është e përfshira edhe vaksina kundër kësaj sëmundjeje”

Gjithashtu, bën edhe ndërgjegjësimin e publikut dhe prindërve për rëndësinë dhe përfitimet nga vaksinimi si mënyra më e mirë dhe e drejtpërdrejt për ta parandaluar Pertusisin dhe sëmundjet e tjera infective që parandalohen përmes vaksinimit.

Infektologu Vishaj: Nga janari, në Infektivë u hospitalizuan 8 pacientë me “Kollën e mirë’

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj tha për Front Online se gjatë vitit 2024 janë hospitalizuar tetë pacientë me ‘Kollën e mirë’

Që nga janari e deri më sot janë tetë raste në Infektive me ‘Kollën e mirë’”, tha Vishaj.

Drejtori i Infektives tregoi se simptomat me Pertusis përcillen me temperaturë dhe kollë.

Ka temperaturë , kollë, kollë e cila zgjatë dhe përfundon me mavijosje dhe vjellje, lodhje, plogështi, humbje oreksi”, tha Vishaj për Front Online.

Komento: