
ogana e Kosovës ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2024 nuk do t’u lejohet zhdoganimi i automjeteve më të vjetra se viti 2014.
“Nga janari 2024 nuk mundeni të zhdoganoni automjetet më të vjetra se viti 2014”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Qëllimi i këtij ndryshimi ligjor është përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe zvogëlimi i ndotjes së mjedisit nga automjetet e vjetra.
“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve bazë të pajisjeve dhe instalimeve të cilat duhet ti ketë mjeti, dimensioni, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit si edhe kushtet të cilat duhet ti plotësoj mjeti në trafik, kushtet për importim, homologimin e tipit të mjetit, pjesës përbërëse, njësisë së pavarur teknike, kontrollimin teknik të automjeteve, kontrollimi i rregullsisë teknike në rrugë, regjistrimin e automjeteve, automjetet të cilat kanë dalë prej përdorimit si dhe çështjet tjera lidhur me to”, thuhet në Ligjin për Automjete.
Këto masa sipas ligjit për automjete janë në përputhshmëri me standardet dhe direktivat evropiane, duke përfshirë kontrollet teknike periodike dhe regjistrimin e automjeteve.
Për pronarët e automjeteve më të vjetra, është e rëndësishme të merren masat e nevojshme për të përputhur automjetet e tyre me kriteret e reja të masës, dimensioneve, dhe ngarkesës boshtore të automjeteve.
Në kundërshtim me këtë rregullore, do të aplikohen gjoba të rënda, duke filluar nga 130 euro për shoferët dhe 600.00 euro për subjektet juridike ose institucionet përgjegjëse për këtë zbatim.
“Dënohet me gjobë gjashtëqind (600.00) € subjekti juridik ose institucioni në emër dhe brenda autorizimeve të së cilit vepron personi i lartpërmendur ne paragrafin 2 te ketij neni”, thuhet në Ligjin për Automjete.