Nga kjo datë rikthehet Superliga e Kosovës në futboll

21:49 | 18 Maj 2020

Është mësuar se nga cila datë do të rikthehet Superliga e Kosovës në futboll.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin e Kosovës me theks të veçantë për mundësitë e vazhdimit të garave në futboll.

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e garave në Ipko Superligën e Kosovës, KE shqyrtoi mundësitë që në këtë rang të garave të nisin zhvillimi i stërvitjeve në përputhje me udhëzimin e MSH-së dhe IKSHPK-së.

KE është i vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendet Kosova, por po ashtu është i vetëdijshëm edhe për rëndësinë e përfundimit të garave në Ipko Superligë, pasi që ky rang i garave ka impakt edhe në garat evropiane, prandaj është edhe prioritet, që garat të zhvillohen në këtë ligë që të mos dëmtohen klubet që do ta fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Evropës. KE thekson se rruga më e mirë është që gjithçka të vendoset në fushën e gjelbër.

Në këtë mënyrë klubet kanë mundësi të përgatiten mjaftueshëm deri në fillimin e ndeshjeve. KE do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ndeshjet të zhvillohen në mënyrën sa më të mirë mundshme në përputhje me Udhëzimet e Institucioneve shtetërore.

Ndeshjet do të zhvillohen pa shikues dhe sipas orarit që kanë paraparë organet e FFK-së që do të zhvillohen prej 7 qershorit e deri më 25 korrik.

KE falënderon Ministrinë Shëndetësisë, MKRS-në si dhe organet tjera për mirëkuptimin dhe vendimin e drejt në të mirë dhe interes të futbollit. Ndonëse, në këtë fazë janë lejuar zhvillimi i garave vetëm për Ipko Superligën e Kosovës, KE varësisht prej situatës do të kërkojë që garat të lejohen edhe për rangjet tjera, por gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve e me këtë edhe të futbollistëve.

KE do të jetë në përkrahje të klubeve, duke ditur gjendjen e tyre të vështirë e sidomos tash në këtë kohë kur edhe përgatitjet e tyre kërkojnë më shumë shpenzime do të shikojë mundësitë që t’u del në ndihmë. KE do t’i ndihmojë klubet për mjete dizenfektuese dhe mjete tjera të nevojshme.

KE u bën thirrje klubeve që t’u përmbahen me përpikëri udhëzimeve të institucioneve shtetërore dhe të FFK-së.

Komento: