Nis takimi i presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike, mungojnë AAK dhe Lista Serbe

14:53 | 14 Nëntor 2022

Ka nisur takimi i Presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike për për të biseduar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pasi kryetarët e fundit dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për targat.

Në takimin e nisur në ora 14:00, po mungojnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.

Në këtë takim të thirur nga Presidentja, T7 raporton se është i pranishëm edhe kryetari i Partisë së serbëve të Kosovës PSK-së, Aleksandër Jabllanoviq.

Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje, pasi Lista Serbe vendosi që serbët të dalin nga institucionet e Kosovës.

Policët, prokurorët dhe gjyqtarët serbë iu përgjigjën gjithashtu unanimisht kërkesës për të dalë nga institucionet e vendit.

Ky veprim i ka hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna meqë sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.

Komento: