Një letër e mirënjohjes për senatorin Bob Dole

19:31 | 22 July 2021

Senatori Bob Dole, për më shumë se tri dekada, ka dhënë kontribut të çmuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në ditëlindjen e 98-të të tij, ne sot (22 korrik 2021) kujtojmë dhe vlerësojmë përpjekjet e tij për të parandaluar agresionin serb, duke i dhënë drejtim ndërtimit të paqes dhe pavarësisë së Kosovën.

Janë tri veprime konkrete të cilat e bëjnë të veçantë kontributin e tij për 30 vjet rresht, për sa ka shërbyer si senator i ShBA-së dhe si Drejtues i Shumicës.

1. Dole i udhëhoqi përpjekjet në Kapitol Hillit për demokratizimin e Jugosllavisë, duke mbështetur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës dhe të të tjerëve për vetëvendosje. Sipas ambasadorit amerikan Philip Kosnett, “vizita e Dole-it më 29 gusht 1990 (në Prishtinë), ishte pika e kthesës për lirinë e Kosovës. Vizita e tij ia hapi sytë e bashkësisë ndërkombëtare për abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, James A. Baker III, shkroi se para vizitës që Dole bëri në Beograd, në qershor 1991, kishte shprehur “shqetësimin e vazhdueshëm të ShBA-së në lidhje me abuzimet sistematike të të drejtave të njeriut kundër shqiptarëve të Kosovës, që jetonin në gjendje lufte (ligj ushtarak) për dy vjet me radhë”. Kjo e solli vijën e kuqe të presidentit George W. Bush, më 1992, të njohur ndryshe si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, duke kërcënuar me një përgjigje të njëanshme ushtarake të ShBA-së nëse Serbia ushtron dhunë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Pa paralajmërimin e tillë, forcat serbe do të kishin shfryrë tërbimin e tyre në Kosovë – aty ku nisi konflikti Jugosllav.

2. Senatori Dole siguroi mbështetje nga të dyja palët për ndërhyrjen ushtarake të presidentit Bill Clinton, më 1999, për të parandaluar përsëritjen në Kosovë të asaj që kishte ndodhur në Bosnjë. E dënoi dhunën ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, gjë që solli Misionin Verifikues të Kosovës (KVM). Megjithatë, ishte një nga të parët që kolaudoi se KVM-ja nuk po punonte.

Gjithashtu. Dole ndikoi në negociatat e Rambujesë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, për këtë ka thënë: “Kur arrita në një pikë vërtet të vështirë në Rambuje, e thirra senatorin Dole. Ka qenë fantastik. Biseduam shumë si ta çojmë këtë proces para. E thirra sepse nuk isha në gjendje t’i vija në lëvizje shqiptarët. Ai e bëri këtë.” Megjithëse Rambujeja dështoi, ishte e rëndësishme të shteroheshin të gjitha opsionet diplomatike duke e lënë ndërhyrjen ushtarake si mundësi të fundit.

Senatori Dole, bashkë me kolegët e Senatit amerikan – si John McCain, John Warner, Joseph Lieberman, Christopher Dodd e të tjerë – mobilizoi mbështetjen e të dyja palëve për aksionet e NATO-s, gjë e cila në fund ndikoi në vendimin e Clintonit për të ndërhyrë.

3. Senatori Dole e kundërshtoi fuqishëm ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve. Më 24 gusht 2018, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, ka thënë se ShBA-ja nuk do ta kundërshtonte një shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë, me kusht që Prishtina dhe Beogradi të punojnë për një “zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”. Senatori Dole e kundërshtoi fuqishëm projektin e vjetër të Dobrica Çosiqit të ringjallur nga Aleksandar Vuçiqi për ta ndarë Kosovën në baza etnike. Ai mendonte se Serbia nuk duhet të fitojë përmes negociatave atë që nuk ia doli ta fitonte përmes spastrimit etnik. Për më tepër, Dole e kundërshtoi edhe kërcënimin e administratës së Donald Trumpit për tërheqjen e forcave të ShBA-sl nga Bondsteeli meqë e kishte të qartë se prania e trupave amerikane është esenciale për të parandaluar agresionin nga Serbia.

Senatori Dole është patriot amerikan që ka fituar respektin më të madh nga shqiptarët në të gjithë botën (në veçanti nga ata të Kosovës). Për ditën e tij të lindjes, ia vlerësojmë rolin e jashtëzakonshëm në Kosovë. Pa të Kosova nuk do të ishte e pavarur sot. Ne gjithashtu e nderojmë shërbimin e tij, si hero e si veteran i luftës; shërbimin e tij për interesat e ShBA-së gjithandej neper botë, si dhe përkushtimin e tij jetësor ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komento: