Një shami për të mbuluar disfatën elektorale të Albin Kurtit

Shkruar nga: Mero Baze

12:32 | 16 August 2022

Vendimi i shumicës parlamentare të Kosovës për t’i hapur rrugë zyrtarisht mbulimit me shami të vajzave mbi moshën 16 vjeç, është një vendim politik për të siguruar mbështetjen e islamit politik në Kosovë.

Çdo diskutim apo debat bosh rreth të drejtave të njeriut dhe aq më keq krahasimi me vende perëndimore, është thjesht një përpjekje për ta kapitalizuar edhe më shumë këtë vendim politikisht.

Thjesht Albin Kurti po kërkon tua shesë dhe më shtrenjtë se sa është në të vërtetë ky gjest.

Shqiptarët janë një komb i vendosur mes Lindjes dhe Perëndimit me një shumicë myslimane evropiane, të cilët kanë bërë diferencën për shkak të bashkëjetesës me fetë e tjera dhe mbi të gjitha me vendosjen e identitet kombëtar mbi atë fetar.

Nëse shqiptarëve u heq këtë identitet, nëse ata i trajton thjesht si komb mysliman apo Kosovën thjesht si vend mysliman, atëherë ke cenuar identitetin kombëtar të shqiptarëve. Identiteti i këtij kombi ka tipar themelor islamin e moderuar pro evropian dhe bashkëjetesën me besimet e tjera. Arsyetimi se vendimi mbështetet mbi të drejtat e individëve për të mbajtur shami si shenjë nderimi për besimin mysliman, është një rrëshqitje drejt islamit politik për nevoja elektorale.

Është e vërtet se në disa vende të perëndimit është lejuar mbajtja e shamive në shkolla apo mjedise zyrtare, por në ato vende perëndimore, myslimanët janë pakicë në shoqëri dhe të huaj në kombin e tyre. Ata respektohen thjesht si liri pakicash. Nëse Kosova dhe Shqipëria zyrtarizojnë këtë qasje të identitetit islam në institucionet publike laike të shtetit, atëherë ata kanë cenuar identitetin e shqiptarëve dhe pas kësaj nuk jemi duke folur për një komb evropian me besim mysliman, por për një vend mysliman që jeton në krah të Evropës. Dhe ky është një ndëshkim kombëtar që “patrioti” Albin Kurti po i bën kombit shqiptar. Mes të tjerash është dhe një çarje që krijohet mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një presion negativ mbi Shqipërinë në këtë çështje.

Por nuk është vetëm faji i Albin Kurtit. Kosova ngjan e frikësuar nga islami politik. Shoqëria civile, gazetarë, shkrimtarë intelektualë mendje hapur dhe të tjerë që janë kundër këtij atentati kombëtar, duket sikur thjesht lajnë gojën duke thënë jemi kundër. Përderisa kjo është një lëvizje politike që synon të kompensojë disfatën elektorale të Albin Kurtit vjeshtën e kaluar, ku ju përgjysmuan votat, çdo parti tjetër politike, por sidomos LDK, PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duhet ta kundërshtojnë atë në parim duke bërë betejë kundër saj. Në të kundërt dëmi do të jetë dhe më i madh, jo se do t’i shtojë votat Albin Kurtit nga një pjesë fanatikësh fetarë, por se do ta fusë Kosovën në një referendum popullor për një çështje kaq delikate dhe do ta ndajë atë në dy botë të ndryshme dhe dy qasje të ndryshme në raport me Perëndimin.

Nëse kanë pas një meritë partitë politike që dolën nga UÇK, si në Kosovë ashtu dhe në Maqedoni është qasja perëndimore që kanë pasur ndaj shtetit laik dhe mbajtjen larg të islamit politik nga shteti. Ky hap i Albin Kurtit, është hapi i një njeriu ambicioz, tashmë të dështuar, i cili kërkon një shami për të mbuluar disfatat e tij politike. Ky nuk është një ligj i zakonshëm për pyjet apo kullotat, nuk është ligj për ndonjë koncesion apo vjedhje fondesh, ky është një hap që deformon identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe ai nuk mund të jetë atribut i një shumice politike e cila realisht tani as nuk ekziston më.

Ajo duhet ndalur sa nuk është vonë. Edhe kaq Albin Kurtit i bën punë dhe si iniciativë, pasi ua ka fituar zemrat partizanëve të shamisë dhe me kaq sa ka bërë. Po të paktën të mos dëmtojë më tej Kosovën dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Komento: