Një shoqëri që çuditet nga të mençurit

16:18 | 04 December 2019

Nëse do të kuptosh ku ka mbërritur niveli i njerëzve publik në Shqipëri, mund të shikoni adhurimin me të cilin është mbështjellë portreti i pedagoges Luljeta Bozo, për shkak të daljeve të saj në ekran me rastin e tërmetit. Befas njerëzit duket sikur kanë zbuluar “arushën Mira” që i zbavit dhe qetëson këto ditë të stresuara, dhe janë gati ta shpallin brenda ditës, ministre, kryeministre, presidente, e gjithçka tjetër.

Kjo vjen pikë së pari nga fakti se për vite të tëra shoqëria jonë promovoi njerëz mediokër, dhe quan shkrimtarë njerëz që botojnë pallavra mediokre publicistike apo libra kuzhine, quan shkencëtarë njerëz që kopjojnë studime shkencore dhe i paraqesin si punë shkencore, quan inxhinierë, njerëz që urdhërohen nga investitorë kriminelë, dhe quan menaxherë njerëz që dinë të bëjnë tendera.

Befas tërmeti zbuloi që ata që merren me tërmete janë shkencëtarë, ata që duhet të ndërtojnë godina duhet të jenë inxhinierë, ata që studiojnë fortësinë e dherave quhen gjeologë, dhe mbi të gjitha, ata dinë të flasin e të shpjegojnë qartë.

Nuk kanë nevojë as të thonë fjali të tipit “sonilameço”, dhe as të kenë orë të shtrenjtë si Fevziu.

Profesore Luljeta në fakt është vërtet një pedagoge e mrekullueshme, që meriton të respektohet. Por brezi i profesorëve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeologjisë Inxhinierike në Shqipëri, është brezi i shkencëtarëve të vërtetë të Shqipërisë.

Jo i këtyre që mbrojnë mastera me llafollogji që nuk aplikohen askund, por brezi i atyre që puna shkencore kthehej në godinë, galeri, puse shpimi, apo diga hidrocentrali.

Deri në vitin ‘90 ata mbajtën jo vetëm peshën e mësimëdhines, por dhe peshën e kërkimit shkencor në vend, si dhe drejtimin e shumë veprave të mëdha inxhinierike.

Sot shumica e tyre janë në fund të jetës së tyre biologjike, me pensione modeste dhe të shpërfillur nga shoqëria.

Prej vitit 2007, qeveria e Sali Berishës i mbylli gjithë Institutet kërkimore shkencore të vendit, duke i kaluar në ndërmarrje pasive në varësi të Universitetit të Tiranës, i cili praktikisht i ka asgjesuar. Mes tyre dhe Institutin e Sizmiologjisë.

U shkatërruan dhe u “ristrukturuan” duke humbur bazën e të dhënave shkencore, Shërbimi Gjeologjik i Shqipërisë, Shërbimi Minerar dhe dhjetëra institute shkencore në vend.

Universiteti i Tiranës harxhon 400 milionë lekë për roje dhe 4 milionë lekë për kërkime shkencore. Shumica e tyre u nxorën në pension. Vetë profesore Luljeta u pushua nga puna nga Sali Berisha në vitin 2010.

Në vend të profesorëve u shpikën ata që quhen “ekspertë” të pavarur, të cilët shesin produktet shkencore të komunizmit si punë të tyre, dhe firmosin nën lehtësinë e honorarit, çdo oponencë teknike që kërkojnë investitorët.

Goditja që qeveria shqiptare u ka dhënë më 2007 gjithë Instituteve Kërkimore në Shqipëri, ishte në fakt hapi i parë për goditjen ndaj arsimit në Shqipëri.

Duke goditur Institutet Kërkimore, u godit elita shkencore e vendit dhe u doli turpi gjithë mediokrëve dhe njerëzve të paaftë, të shpalleshin pedagogë, fillimisht në Universitetet private, e pastaj në publik, duke dalë nëpër ekrane.

Pa goditur këtë elitë shkencore, vështirë se do të krijohej brezi i Universiteteve private si kërpudha, që relativizuan shkencën, relativizuan elitën shkencore, relativizuan thellësinë e dijes dhe shkollimit në Shqipëri, dhe në vend të profesorëve, promovuan në ekrane propagandistë autodidaktë, që ua shkruajnë poshtë me titra titullin “pedagogë”.

Për shumë vite, gati më shumë se një dekadë e gjysëm, shqiptarët mendojnë se pedagogë janë ata mediokrit që shfaqen në ekrane.

Dikush ka ndeshur rastësisht tek Luljeta Bozo dhe befas njerëzit panë që shkencëtarët qenkan ndryshe, jo si ata që lulëzuan pasi u shkatërruan Institutet shkencore dhe elita shkencore e vendit.

Dhe të gjithë befas adhurojnë profesore Luljetën, e cila meriton në të vërtetë gjithçka.

Sot dëgjova dhe Presidentin që është pjesë e këtij krimi politik, i cili kërkon të bëhet një hartë e risqeve sizmike në vend, nga struktura të specializuara.

Në fakt, katër profesorët më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço (vdekur) dhe Eduard Sulstarova, që janë dhe baballarët e sizmikës dhe sizmiotektonikës, e kanë bërë që në vitet tetëdhjetë një hartë të tillë, e cila përcakton me detaje në çdo rajon të Shqipërisë, se sa dhe si duhet ndërtuar.

E ka dhe Durrësin e Tiranën shumë qartë.

Por pas viteve ‘90, ata jo vetëm që u injoruan si personalitete, por u injorua dhe puna e tyre shkencore, duke u vjedhur, nëpërkëmbur dhe shitur privatisht nga “ekspertët”.

Shqipëria është vendi që ka më shumë statistika të gjeologjisë inxhinierike në botë për metër katror, pasi është vendi që ka bërë më shumë shpime gjeologjike për nevoja të ekonomisë në kohën e komunizmit.

Të dhënat e atyre shpimeve janë në dosje të mykura, nëse janë gjallë në arkivat e ndërmarrjeve gjeologjike, dhe Insititutet që janë mbyllur, shkrirë e rishkrirë, mund t’i përpunonin ato të dhëna, të ndërtonin hartat dhe diagrama rreziku për çdo kilometër katror të Shqipërisë, që nga Tropoja deri në Konispol.

Por kjo është një histori që tani kujtohet vetëm se na ra tërmeti.

Pasi ky rrezik të kalojë, pasi të mësohemi me të keqen, përsëri në ekran do kemi gjithologë mediokër, politikanë që do thonë se tërmetin e solli “Syri i Kuçedrës”, apo paranojakë që do thonë se e sollën shpimet në Mesdhe.

Në ekrane pas kësaj do të ketë injorantë që shfaqen si pedagogë dhe që për të mbuluar boshllëkun intelektual, bëhen njerëz politik dhe zënë llogoren e tyre.

Kjo na ka katandisur aq keq, sa tani Luljeta Bozo është bërë një yll ekranesh, pasi njerëzit kanë harruar të dëgjojnë njerëz të mençur duke folur.

Yll je profesore, qoftë dhe që u kujtove të gjithëve, se nuk shkohet gjithë jeta me budallenj.

Komento: