Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se arrestimet e së premtes dëshmojnë se dosjet janë të Speciales.
U paraqitën në mesditë, për të përfunduar aksionin e tyre në mbrëmje.
Policë të Eulexit, e hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për orë me radhë bastisën zyrat e OVL-UCK-së.
E mënyra se si ndërkombëtarët kryen këtë aksion nuk u mirëprit nga qytetarët.
Por, këtë operacion në kuadër të ligjit e ka vlerësuar kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka reaguar një ditë pas operacionit, duke thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri.
Si të ligjshme këto veprime po i sheh edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ndonëse nga organizata kundërshtuan arrestimet, sipas Miftarajt shpërndarja e dosjeve të Gjykatës Speciale paraqet pengim të drejtësisë.
Madje ai shton se nga kjo organizatë duhet të kujdesen në publikimin e informatave, pasi që mund të ketë edhe arrestime të tjera.
Por, Miftaraj thotë se Gjykata Speciale duhet të dalë me sqarim se çfarë masash do të merren për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Sipas Miftarajt, arrestimet e së premtes dëshmojnë se dosjet e publikuara nga OVL-UCK, janë të Gjykatës Speciale.